Meta: Jemi e vetmja parti me plan konkret për të zgjidhur punësimin
“LSI është e vetmja parti në këto zgjedhje, që vjen para të gjithë shqiptarëve me një Plan për Veprim për të zgjidhur në radhë të parë problemin e punësimit dhe me një plan të qartë për të ulur koston e jetesës”. Kështu iu drejtua kreu socialist qytetarëve të Elbasanit që kishin mbushur sheshin kryesor të këtij qyteti që shprehnin besimin në fitoren e LSI që do t’i japë mundësinë kësaj force dhe Ilir Metës për realizimin e Planit për Veprim, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza për ta futur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Kreu i LSI, tha se “ne do ta bëjmë Elbasanin një qytet model të punësimit për zhvillimin e biznesit fason dhe zhvillimin e turizmit, kulturës, pasi Elbasani ka qenë gjithnjë një nga qendrat më të fuqishme të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar. Në fjalën e tij Ilir Meta u ndal në domosdoshmërinë e votës për këtë forcë politike. “Të gjitha votat duhet të jenë për LSI, të gjitha votat duhet të jenë për projektin e Ilir Metës, për të integruar të majtët dhe të gjithë progresistët e Shqipërisë, të gjitha votat për programin tonë për punësim. Jam i bindur se më 28 qershor Elbasani do të jetë gati për të filluar një periudhë të re, atë të daljes një herë e mirë nga varfëria atë të punësimit, sjelljes dhe vendosjes së standardeve evropiane në Elbasan, Librazhd, Gramsh e Peqin”, tha Meta. Kreu i LSI-së u kërkoi të gjithëve që të votojnë numrin 24, sepse vetë programi ambicioz i LSI kërkon punë 24 orë në 24 orë për t’i hapur punë dhe perspektivë Elbasanit dhe gjithë shqiptarëve.