Rama: Nuk do lemë Berishën të helmojë Durrësin me TEC
Durrës/Oerd Ulqini
Partia Socialiste zhvilloi mbrëmë mitingun përmbyllës në qytetin e Durrësit. Kryetari socialist, i cili shoqërohej nga kandidatët për deputetë në këtë qark, u përqendrua gjatë fjalës së tij tek çështjet e mjedisit. Në mitingun përmbyllës të socialistëve në Durrës Edi Rama luan me kartën ambientaliste. “Berisha nuk do të inaugurojë asnjë TEC në Durrës, pasi ky qytet ashtu sikurse edhe e gjithë Shqipëria nuk është tokë pa zot. Asnjë lloj rrangalle që po mbyllet në Evropë nuk do të hapet këtu, pasi mushkëritë e fëmijëve shqiptarë nuk janë më pak të rëndësishme sesa mushkëritë e fëmijëve evropianë”, tha Rama në Durrës. Duke prekur dhe çështjen e liberalizimit të vizave, kreu socialist premtoi se brenda 2010 qeveria socialiste do të mundësojë liberalizimin e tyre me BE-në. “Sali Berisha premton të heqë vizat, por ne kemi mbetur jashtë programit të vizave pas Malit të Zi dhe Serbisë pikërisht për faj të tij. Shqipëria nuk mund të humbasë. Familje të ndara më dysh jo nga komunizmi, por pikërisht nga ajo politikë e vjetër e cila për 18 vjet nuk heq dot vizat”, vijoi më tej Rama. Sipas tij, kjo është beteja për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një tjetër, është beteja e fëmijëve që nuk kanë libra, është beteja e mjekëve që nuk kanë mjete, është beteja e fshatrave që nuk kanë ujë, është beteja e bujqve që nuk kanë fuqi, është beteja e familjarëve që nuk kanë punë. Ai premtoi se pas 28 qershorit nuk do të jetë më këneta e Durrësit, por një lagje plotësisht e integruar. Rama kërkoi votën e durrsakëve duke thënë se gjyshin e ka durrsak dhe se vetë ndihet durrsak. Kreu socialist shpjegoi para qytetarëve pse nuk kandidon për deputet.
“Arsyeja pse unë kam vendosur që të jem në këtë garë dhe që të kandidoj për të qenë Kryeministri i Shqipërisë, duhet ta besoni, lidhet në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë edhe me të gjitha ato pamundësi, që unë kam konstatuar ndër vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës në nivelin lokal, duke kuptuar që shumë nga ato probleme, që janë në dukje lokale, në fakt janë probleme që kanë të bëjnë me politikën kombëtare. Shumë nga ato probleme që janë në dukje probleme komunitare, janë në fakt probleme që kanë të bëjë drejtpërdrejtë me politikën qeveritare. Dhe pa pasur mundësinë që ta transformojmë politikën kombëtare, politikën qeveritare, politikën që bën në çdo sektor qeveria, ne nuk mund të zgjidhim problemet me karakter lokal”, tha Rama.