Mëkëmbja e ekonomisë amerikane
Shifrat e reja tregojnë se ekonomia amerikane u rrit më ngadalë nga sa
ç'mendohej fillimisht. Nga korriku në shtator prodhimi i përgjithshëm i
brendshëm u rrit me një ritëm vjetor prej 2 presje 2 përqind, duke shënuar ulje
nga parashikimi prej 2 presje 8 përqind.
Megjithë uljen, tregues të tjerë sugjerojnë një përmirësim të ndjeshëm në
tremujorin e fundit. Por disa ekonomistë thonë se mëkëmbja ekonomike nuk është
diçka e sigurtë.Sipas Departamentit të Tregëtisë,
prodhimi i përgjithshëm ishte më i ulët nga parashikimet si rezultat i rënies
së shpenzimeve të konsuimatorëve, pakësimit të ndërtimeve dhe zvogëlimit të
inventarit nga kompanitë.
Megjithatë shifrat e reja flasin për një rritje prodhimi, pas rënies që zgjati një vit.
Wall Street-i reagoi pozitivisht pjesërisht nga fakti i një rritje prej 7
presje 5 përqind të shitjeve të shtëpive ekzistuese.
Ekonomisti Martin Neil Baily thotë se treguesit e fundit sugjerojnë se
ekonomia është në rrugën e duhur për të shënuar rritje më të madhe në të
ardhmen."Shumë analistë
shohin rritje më të madhe në tremujorin e katërt, ndoshta 4 prej përqindësh. Pra
në këtë ekonomi që po merr kthesën, gjërat duken mirë".
Ana negative është se një pjesë e mirë e rritjes në tremujorin e tretë
erdhi nga paketa stimuluese e qeverisë. Këtu përfshihet 8 mijë dollarë
shkurtime taksash për blerësit e rinj të shtëpive.
Ndërsa programet stimuluese të qeverisë po përfundojnë, të njëjtin fat mund
të ketë edhe mëkëmbja.
"Disa nga
analistët parashikojnë një rritje të fuqishme në vitet 2010 dhe 2011. Por nuk
mendoj se kjo është një gjë e sigurtë. Mendoj se është e mundur se kjo që po
shohim tani është një lloj mëkëmbje që mund të mos vazhdojë të jetë e fuqishme
në 2010 dhe 2011".
Zoti Baily e pranon se parashikimi ekonomik nuk është një shkencë ekzakte.
Ai thotë se rasti më i keq do të jetë një periudhë rritjeje, e pasuar nga
ngecja e pastaj një tjetër recesion.
"Papunësia
është ende e lartë, konsumatorët kanë humbur shumë pasuri. Ata janë të
pasigurtë për punët që kanë. Në këtë ekonomi ka shumë pasiguri".
Megjithë paralajmërimet, analistët thonë se ekonomia është mëkëmbur më
shpejt sesa ç'pritej. Një anketë me disa ekonomistë të njohur parashikon se
ekonomia do të rritet 4 përqind mes tetorit dhe dhjetorit.
Shifrat për tremujorin e katërt pritet të dalin më 29 janar.