Nis Kuvendi, Meta: Rama hiq dorë nga standartet e dyfishta
TIRANE- Në seancën e fundit të Kuvendit për vitin 2009, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Brendshëm, Ilir Meta i ka bërë thirrje kryeopozitarit Rama të heqë dorë nga standartet e dyfishta. Duke iu referuar disa prej padive të Ramës në Gjykatën Kushtetuese Meta është shprehur: “Ftoj kryetarin e PS të heqë dorë nga standartet e dyfishta. Kur e respekton kaq shumë Gjykatën Kushtetuese dhe Kushtetutën pse e mban jashtë Parlamentit forcën politike që drejton?”, theksoi Meta. Sipas Metës kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit është antikushtetuese dhe i bën thirrje Ramës të heqë dorë nga standartet e dyfishta. Në fjalën e tij Meta ka deklaruar se viti që po vjen është një vit i suksesshëm në aspektin e integrimit. Ai ka deklaruar se 2010 do të jetë vitit kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE, duke ironizuar më pas protestat e opozitës. “Është për të ardhur keq që dëgjojmë spekullime lidhur me liberalizimin e vizave, ku për fat të keq jo vetëm manipulohet por edhe gënjehet. Të gjithë e dinë që KE në verën e këtij vitit i rekomandoi Këshillit që për tre vende, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë të jepte liberalizimin, dhe kjo për shkak të një trashëgimie shumë më të pasur se Shqipëria. I kishin kushtet të plotësuara. Një kusht ishte paisja e qytetarëve me pasaporta biometrike,që Sqipëria nuk e kishte përmbushur në atë kohë. Unë them që viti 2009 ishte viti i NATO-s ndërsa 2010 do të jetë viti I liberalizimit të vizave. Kjo do të gëzojë të gjithë shqiptarët edhe ata që dalin në protesta dhe derdhin lotë krokodili”, ka deklaruar Meta nga salla e Parlamentit. Ndërsa i ndalur tek situate aktuale ekonomike Meta është shprehur se: “vendi nuk po kalon situatën më të mirë financiare por ka qëndrueshmëri ekonomike”, ndërsa ka theksuar se situate ekonomike do të vijë duke u rregulluar. Në lidhje me pagat dhe pensionet, për Metën e rëndësishme është të mos cënohen parametrat makro-ekonomikë.(m.a/BalkanWeb)