Meksi: Akti i Pavarësisë u firmos nga 40 veta, në fletën pas janë 6 emra

Aleksandër Meksi
Shtatë ditët e Kuvendit të Vlorës, 28 nëntor-4 dhjetor 1912.
Lista e plotë me 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë.
Cilët ishin 76 pjesëmarrësit e mbledhjes historike.
Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve, por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e shtetit shqiptar, të Shqipërisë së mosvarme, siç e thotë vetë Akti i Shpalljes së Pavarësisë. Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i procesverbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën Përlindja e Shqipërisë (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Berati dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij Dokumente Historike nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u morën me shpalljen e pavarësisë dhe aspektet e shumta të asaj ngjarjeje madhore. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të Bardhosh Gaçes Ata që shpallën pavarësinë kombëtare ku jepen procesverbalet e Kuvendit, jetëshkrimet e pjesëmarrësve, si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të kohës. Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët e fundit vërejtje, mospranime të pranisë së personave të veçantë në atë Kuvend si firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë si pasojë e paragjykimeve politike.
Nëntori i vitit 1912 i gjeti trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga veriu sulmuan trupat serbo-malazeze dhe rezistenca e ushtrisë së rregullt turke, rezervistëve e, bashkë me ta, edhe vullnetarët shqiptarë, nuk arritën tu bënin ballë. Në jug, në territoret e prefekturës së Janinës, po luftohej me ushtrinë greke, ndërsa në lindje trupat bullgarë. Në kurriz të shqiptarëve të gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve. Në të tilla rrethana atdhetarët nuk qëndruan duarkryq e të bënin sehir por u lidhën me njëri-tjetrin kudo që ishin dhe vendosën ti dilnin zot atdheut të tyre. Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të veprimtarive të atdhetarëve për mbrojtjen e atdheut. Ai tregon se, duke parë veprimet e turqve të rinj shqiptarët u ngritën në këmbë në kryengritjen e përgjithësime që triumfoi me hyrjen e tyre në Shkup. Por fillimi i Luftës Ballkanike i bindi shqiptarët, siç vëren Ismail Qemali, që të marrin masa të rrepta për shpëtimin tonë. Ai nuk pranoi propozimin që të bënte pjesë në qeverinë e re turke dhe u nis nga Stambolli për në Bukuresht ku u takua me shqiptarët e shquar të kolonisë dhe së bashku vendosën të kthehen në Shqipëri për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin Pavarësinë. Prej andej Ismail Qemali me shokë shkuan në Vjenë e Budapest ku pati takime në nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Berthtold, dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e pavarur. Ismail Qemali nga Vjena më datë 9 nëntor njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri me të parin vapor. Ai bën të qartë se E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt. Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram nga Ismail Qemali, i cili u thotë se Përpara së premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësinë e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare. Ky njoftim, me një telegram të firmosur Nemër të gjithëve nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani, ju dërgohet: Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit. Në atë njoftim ata ju thonë ….Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë…..
Në botimin e Lef Nosit jepen shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të transportit në Durrës, njoftimet për emrat e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u përmendën më lart, nga një telegram i firmosur prej Midhat Frashërit mësojmë për delegatë që do vijnë nga Kosova. Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin.
Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi iu nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e atdheut, por pasi nuk pati pritjen e duhur u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes. Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë 1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet, ata mbërritën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që të mund të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës.

Momenti i shpalljes se pavaresise
Mbledhja e parë e Kuvendit u hap më 28 nëntor 1912 në orën 4:00 pasdreke në shtëpinë e Xhemil Beut, kushëririt të Ismail Qemalit.
Mbledhjen e hapi Ismail Qemali si nisjator i saj duke treguar rëndësinë e Kuvendit.
Më tej, siç e kërkon rregulla e zakoni, u bë kontrolli i përfaqësimit për secilin delegat. Ne po i japim më poshtë emrat duke shtuar në kllapa mbiemrat ose emrat me të cilat edhe njihen.
Berati: Iljas Be Vrioni, Hajredin Be Cakrani, Xhelal Be Skrapari (Koprencka), Dud (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani, Sami Bej Vrioni, që mungonte.
Dibra: Myfti Vehbi Efendiu (Agolli),
Durrësi: Abas Efendiu (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu). Jahja Efendiu (Ballhysa) që pritej të vinte, si dhe Dom Nikoll Kaçorri si i dërguar i Arqipeshkopit për gjithë shqiptarët katolik që ndodhen nën urdhrin e tij.
Elbasani: Shefqet Be Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani dhe Midhat Be Frashëri.
Gjirokastra: Aziz Efendiu (Gjirokastra). Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce).
Ipeku (Peja): Rexhep Beu (Mitrovica), Bedri Beu (Pejani), Salih Xhuka (Gjuka), Midhat Frashëri, këta delegatë janë dhe të Gjakovës, Plavës e Gusinjës.
Kruja: Abdi Be Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja).
Lushnja: Kemal Beu (Mullaj), Ferid Be Vokopola, Nebi Efendi Sefa.