Gardiani vret motren, kunatin e veten. Masakër në Shëngjin, motra e autorit: Krimin e bëri kunata ime

AUTORI I MASAKRES SE TREFISHTE BRENDA FAMILJES, SANDER NDOJI
Polici vret motrën, kunatin dhe veten
Krim i trefishtë brenda familjes, pas sherrit mes kunatave për një apartament dhomë e kuzhinë
Plagoset me dy plumba nipi 12-vjeçar, në gjendje të rëndë për jetën
Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shëngjin, duke shkaktuar bilanc tragjik viktimash. Tre persona kanë vdekur, ndërsa një fëmijë është në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas Policisë së Lezhës, Sandër Ndoj, 49 vjeç, ka qëlluar për vdekje motrën e tij Dana Ndoj, 39 vjeçe, bashkëshortin e saj italian, Luigi Benincassa, 53 vjeç, si dhe ka plagosur fëmijën e tyre, 9 vjeç. Më pas, Sandër Ndoj është vetëvrarë me armën e krimit. Ngjarja ka ndodhur në apartamentin e të motrës së Sandrit, shtëpia që u bë shkak i këtij makabriteti. Prej një dekade, motër e vëlla ishin në konflikt mbi trashëgiminë e kësaj banese që ndodhet në qendër të Shëngjinit, dhomë e kuzhinë, derisa u mori edhe jetën. Me vdekjen e prindërve, apartamenti i kishte kaluar zyrtarisht Danës me anë të amanet-testamentit, duke lënë të pakënaqur vëllain e saj, Sandrin. Por më së shumti, bashkëshorten e tij Mimoza, e cila prej 10 vitesh i ka kërkuar kunatës kalimin e apartamentit të emër të bashkëshortit. Nga dy vëllezërit dhe gjashtë motrat e familjes Ndoj, Sandri me gruan e tij, Mimoza, ishin të vetmit që pretendonin shtëpinë e Danës, pasi të tjerët kishin rënë dakord që në fillim me vullnetin e prindërve për trashëgiminë. Sipas tyre, sa kohë ishin gjallë, prindërit nuk kishin shkuar asnjëherë mirë me nusen e shtëpisë. Duke qenë se Dana ishte më e vogla e familjes dhe kishte pasur një martesë të dështuar, atëherë prindërit kishin vendosur që tia linin asaj apartamentin. Kur ajo u martua sërish me italianin Luigi Benincassa, atëherë shpërtheu konflikti, që u mbyll me tri viktima dhe një fëmijë të plagosur.

Bashkëshortët Luigi dhe Dana, të vrarë dje nga vëllai i saj, Sandër Ndoji
Ka qenë ora 06:30 e mëngjesit kur Sandër Ndoj ka dalë nga shtëpia për të ikur drejt Shën Kollit, ku punonte si efektiv policie në burg. Sipas familjarëve dhe fqinjëve dëshmitarë, sapo ka parë të motrën në oborr, ai është kthyer nga rruga teksa shkonte për te makina. Vëlla e motër kanë nisur të debatojnë, por dëshmitarët nuk kanë arritur të kuptojnë se për çfarë. Vetëm pas pak çastesh nga replika, fqinjët kanë parë Sandrin duke i drejtuar pistoletën të motrës, Danës, e cila ka vrapuar që të fshihet brenda shtëpisë. Ai ka qëlluar drejt saj duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që në derë janë shfaqur bashkëshorti Luigi Benincasa dhe djali 9-vjeçar. Sapo i ka parë, Sandri ka shtënë edhe drejt tyre disa herë, derisa i pa të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Pasi i ka vështruar për pak sekonda duke vënë duart mbi kokë, ai ka ikur me nxitim nga pas pallatit. Ndërkohë, fqinjët kanë shkuar drejt trupave të gjakosur për të dhënë ndihmën e parë dhe teksa po lajmëronin policinë, kanë dëgjuar një tjetër të shtënë. Në një shtëpi-dhomë private, vetëm 10 metra pas pallatit të së motrës, që Sandër Ndoj e kishte ndërtuar për ta dhënë me qira gjatë verës për pushuesit, ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë. Vrasjet dhe vetëvrasja janë bërë me të njëjtën armë; atë të shërbimit të Sandër Ndoj. Ai ishte baba i dy fëmijëve, vajzës 17-vjeçare dhe djalit 12-vjeçar.
Flet Pranvera, motra e Sandër dhe Dana Ndojit.
Motra e viktimave: Vrasësja e vërtetë është kunata ime.

Pranvera, motra e Sandër dhe Dana Ndojit
Dje, të gjithë tregonin të njëjtën histori parakrimi në Shëngjinin turistik, por Pranvera bën diferencën në rrëfim. Sepse ajo është njëra nga gjashtë motrat e familjes Ndoj, ku nga mëngjesi i së shtunës ato kanë mbetur pesë dhe vetëm një vëlla. Sandri, më i vogli prej dy vëllezërve, vrau Danën, më të voglën e motrave dhe të krejt familjes, Luigi-n, bashkëshortin e saj, si dhe plagosi fëmijën e tyre, nipin e tij 9-vjeçar. Krimi monstruoz erdhi si pasojë e konfliktit vëlla e motër për një apartament të vjetër, dhomë e kuzhinë, aty ku dje u hapën dyert e mortit. Familjarë, miq, të afërm dhe banorë të Shëngjinit hynin e dilnin për vizitat ngushëlluese, përveç Mimoza Ndojit, nuses së shtëpisë, bashkëshortes së Sandrit. Nuk kemi më punë me atë, kunata na e çoi vëllain në këtë masakër. Më vjen rëndë dhe nuk dua të flas prej dy fëmijëve të Sandrit, por ajo është vrasësja e vërtetë. Ajo e shkaktoi këtë tragjedi, thotë Pranvera për gazetën Panorama, ndërsa ndërpritet herë pas here nga të afërmit, që e këshillojnë të mos flasë. Për pak çaste ua dëgjon këshillën dhe hesht, por kur e ngacmon sërish për kunatën, rrëfimi i del vetvetiu…
Pse nuk është në mort Mimoza, bashkëshortja e Sandrit, kunata juaj?
Nuk ka pse të jetë dhe bën mirë që të mos jetë.
Ku ndodhet ajo?
Unë e di se është në polici, por nuk e di nëse ka dalë. Bën mirë që të rrijë gjatë atje, se aty e ka vendin.
Pse e ka atje vendin?
Nuk kemi më punë me atë, kunata na e çoi vëllain në këtë masakër. Më vjen rëndë dhe nuk dua të flas prej dy fëmijëve të Sandrit, por ajo është vrasësja e vërtetë. Ajo e shkaktoi këtë tragjedi.
Ishte vëllai juaj që qëlloi mbi motrën…
Vëllai im ka shkrehur armën, e vërtetë. Ai ka përdorur dorën, ndërsa kunata ka përdorur trurin. E ka shtyrë Sandrin të vrasë, ndaj ajo është po aq fajtore sa ai. Madje edhe më shumë. E ka yshtur gjithë natën me fjalë, që kushedi se çfarë i ka thënë, çfarë i ka sajuar dhe e ka mashtruar, derisa Sandri arriti dhe vrau Danën, Luigi-n dhe plagosi N.B. (inicialet e fëmijës 9 vjeç). Ajo do ti ketë sajuar ndonjë histori monstruoze, derisa ai bëri krimin monstruoz.
Po pse do ti sajonte kunata juaj të tilla histori?

Dana Ndoji, e vrarë dje nga vëllai i saj, Sandër Ndoji
Debat i vjetër, por mbrëmë (të premten në mbrëmje) Dana dhe kunata janë zënë keq për punën e shtëpisë. Para se të vdiste babai, ai e la me gojë dhe me shkrim që apartamentin do ta trashëgonte Dana. Si nëna, ashtu edhe babai, nuk kanë shkuar asnjëherë mirë me nusen e Sandrit. Duke e ditur të sigurt që nëse do tia linte asaj shtëpinë, dera