E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: “Komisionerët e PD-së bllokuan kutinë e fundit”

Autori i Lajmit: red.
Katër qendrat e fundit të numërimit të votave në qarkun e Fierit, të cilat janë bllokuar, janë bërë shkak për diskutime të shumta mes përfaqësuesve socialistë dhe atyre demokratë. Kandidatja socialiste për këtë qark, Ermelinda Meksi, e cila ka qenë e pranishme në zonën nr. 20, denoncoi bllokimin e procesit të numërimit në kutinë e fundit. “Tensioni arriti kulmin, sepse në mënyrë arbitrare, përfaqësuesit e PD-së ndërprenë numërimin e votave në kutinë 3138, sepse ishim në avantazh me rreth 150 vota. Në mënyrë arrogante, komisionerët kërkuan të mos numëronin kutinë dhe policia i largoi jashtë të gjithë. Shikoj përsëritje të një skenari të shëmtuar të të njëjtëve arkitektë që projektuan 96-ën”, - u shpreh Meksi. Kandidatja socialiste për këtë qark ka shtuar se misioni i PS-së është që të mbrojë votën e njerëzve që ia kanë besuar. “Po ndodh një bllokim i procesit nga PD-ja që kërkon të mbajë zvarrë dhe të bëjë presione. Kryetari i KZAZ-së nuk dilte në orët e para të mëngjesit, ai ishte zhdukur”, - shtoi Meksi. Në vijim të denoncimit, ajo tha se KZAZ nr.20 mori një vendim me shumicë votash për ta bllokuar pa asnjë justifikim kutinë e fundit.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›