E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Zgjedhjet, ka progres, por edhe shumë parregullsi

Autori i Lajmit: red.
Vëzhguesit në terren të Komitetit Shqiptar të Helsinkit kanë hasur në disa parregullsi gjatë zgjedhjeve të së dielës. Mosgjetja e emrit në listat e zgjedhësve, gabime në emra apo në mbiemra si dhe votime në mënyrë kolektive, janë problemet që kanë hasur vëzhguesit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Por në krahasim me të gjithë zgjedhjet e tjera të zhvilluara në vend shënohet dhe progres. Komiteti Shqiptar i Helsinkit realizoi vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, duke aktivizuar 150 vëzhgues të akredituar nga KQZ. Vëzhgimi u bë i mundur edhe në saje të mbështetjes të ambasadës amerikane në Shqipëri, duke u shtrirë kryesisht në 8 qarqe të vendit: Tiranë, Gjirokastër, Fier, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Kukës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ky monitorim nuk u përqendrua vetëm ditën e votimit dhe në numërimin e votave. Ai përfshiu aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor. Ditën e votimit u monitoruan mbi 700 QV në të gjitha qarqet e sipërshënuara. Të 150 vëzhguesit janë trajnuar paraprakisht dhe kanë qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me specialistët e KSHH-së për përditësimin e njohurive të tyre. Vëzhguesit e KSHH-së, kanë arritur në konkluzionin se në fushën e reformës zgjedhore dhe në zhvillimin e zgjedhjeve janë bërë hapa pozitivë. Në raportin e plotë të publikuar dje citohet se është shënuar si arritje që vijojnë për herë të parë, me ligj, u parashikuan disa masa të posaçme për të siguruar realisht shanse të barabarta gjinore. U parashikua detyrimi ligjor për pajisjen e qytetarëve me karta të identitetit, veç pasaportës që ata mund të dispononin, duke përjashtuar kështu certifikatat që mund të linin shkas për manipulime. Lidhur me garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, janë konstatuar raste të vështirësive të karakterit tekniko–organizativ për zgjedhësit që kërkonin të pajiseshin me karta identiteti. Në takimet që vëzhguesit tanë kanë pasur me këta zgjedhës dhe sipas vëzhgimit në vend, kanë rezultuar raste të ndërprerjes së punës, vonesa dhe sorollatje të qytetarëve, mungesë të energjisë elektrike, etj,. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme flasin për rreth 256 mijë persona që nuk kanë aplikuar për këto karta identiteti. Mendojmë se kjo shifër dëshmon një numër të konsiderueshëm qytetarësh që nuk kanë pasur mundësi të votojnë.

Ky lajm është publikuar: 30/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›