Meksi: Nuk ka një fushatë reale, ka më shumë dhunë ndaj partive të voglaNga Armand Mero, VOANë Shqipëri sistemi rajonal-proporcional ka diktuar edhe formën e garës për zgjedhjet e 28 qershorit. Nevoja për mos të çuar dëm asnjë votë ka detyruar forcat
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Meksi: Nuk ka një fushatë reale, ka më shumë dhunë ndaj partive të voglaNga Armand Mero, VOANë Shqipëri sistemi rajonal-proporcional ka diktuar edhe formën e garës për zgjedhjet e 28 qershorit. Nevoja për mos të çuar dëm asnjë votë ka detyruar forcat politike të grupohen në katër koalicione të mëdha, mes të cilave është edhe Poli i Lirisë. I lindur si një bashkëpunim mes Partisë Demokristiane dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, ai ka tërhequr edhe disa parti të tjera të vogla, si dhe grupime të rëndësishme interesi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtuesi i këtij koalicioni, ish-kryeministri demokrat, Aleksandër Meksi, flet për boshtin elektoral, si dhe zgjidhjet që ofron ky koalicion për çështjet e rëndësishme
Zoti Meksi, Poli i Lirisë, të cilin ju e drejtoni, është një ndër katër koalicionet e përfshira në garën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Shkurtimisht, a mund të na thoni cilat janë pikat kryesore të programit të këtij koalicioni?
Pikat mund të jenë ndërtimi i shtetit dhe funksionimi i institucioneve dhe ndërvarja e kontrolli i njëra-tjetrës dhe mbi të gjitha, e lidhur bashkë me këtë bllok, që për ne duhet bërë njëherësh që në fillim të parlamentit, reforma në drejtësi.
E dyta është fillimi i kryerjes së reformës ekonomike, me synim rritjen e të ardhurave nëpërmjet shtrimit të bazës tatimore, nëpërmjet një politike tatimore më të rregullt, duke mënjanuar tatimin mbi të ardhurat të atyre personave që kanë të ardhura nën 150 mijë lekë të vjetra për frymë, sigurimi i pensioneve brenda 4-vjeçarit të shkojë 60-70% të pagës neto dhe përcaktimin e minimumit jetik, në mënyrë që ata, të cilët nuk e arrijnë këtë me pensionin e pjesshëm apo me ndihmën sociale, të mund të trajtohen me këtë mënyrë.
Është vendosja e taksës së pronës në mënyrë të rregullt, taksa e lojërave të fatit, rregullimit të sistemit të akcizave, karburanteve, duhaneve, kryesisht në përputhje me ato përqindje që ka në gjithë botën, që te ne janë shumë më të ulëta, janë fikse, që në fakt s’duhen të jenë fikse. Pra, një sërë reformash, të cilat zhdukin monopolet, shtojnë të ardhurat, rritin mundësitë e futjes së njerëzve në biznese.
Por, ne kemi edhe një vërejtje kryesore, që është mundësia që biznesi vendas të përfshihet në investime kapitale, siç është energjitika, siç është infrastruktura, siç janë, të themi, aktivitete si telekomunikacioni, ku vërejmë që çmimet janë tepër të larta në krahasim me Evropën dhe shteti, megjithëse ka detyrimin ligjor, nuk ndërhyn. Do të thotë që është i përzierë në afera me ta. Në qoftë se do të ndodhin këto dukuri, do të kishte mundësi që kapitali shqiptar të kontribuonte për ndërtimin e Shqipërisë.
Sot mund të gjejmë mbi 10 miliardë euro të sigurta në Shqipëri dhe banka, por për të marrë kredi është pothuajse krejt e pamundur, sepse qeveria preu marrëdhëniet me FMN me dashje, i preu marrëdhëniet që të kishte duart e lira në këtë periudhë për të marrë borxhe, për të mos iu kryer kontrolle, për të lëvizur fonde etj., ndërkohë që vende në krizë apo në prag krize, si Maqedonia, kanë marrë një miliard euro. Kanë ndihmuar bankat me likuiditet, kanë ndihmuar mbulimin e kredive të këqija dhe investimet që janë direkt në punët publike.
Ju keni afruar në këtë aleancë edhe kategorinë e ish-pronarëve dhe jeni fokusuar shumë te çështja e pronave. Sa vështirë është realisht zgjidhja e këtij problemi që po zvarritet?
Pikërisht, zvarritja e pronave dhe të pronarëve ka sjellë që mjaft investime të mos bëhen dhe një kategori, e cila është dhunuar bashkë me të përndjekurit nga regjimi komunist, të jetë sot e paaftë në këtë pasuri që kishim, që dhe duhet ta kemi në zhvillimin e Shqipërisë. Ndërkohë që prona po shpërdorohet.
Janë qarqe zyrtare që përvetësojnë pronën shtetërore, me format e qirasë, të shitjes, të faljes me një euro etj., ndërkohë që këta pronarë duhet ta merrnin dhe ne themi që brenda këtij gjashtëmujori duhet të përcaktohet; ligji të rishkruhet edhe njëherë, një ligj i saktë dhe aktet normative të sakta, kjo do ta bënte të pamundur spekulimin dhe do të bënte të mundur së pari njohje, së dyti kthimin e pronës që është e lirë, së treti kompensimin fizik në pronat shtetërore, lista e të cilave ende nuk është bërë dhe pastaj kompensimin financiar. Dhe me ligj të fiksohet se si do të shlyhet ky detyrim financiar. Me bono thesari në disa vite, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të marrin kredi për të zhvilluar bizneset, për të dërguar fëmijët jashtë, për t’i shkolluar brenda ose jashtë, për të marrë shtëpi etj. Pra, për të kapërcyer atë prapambetje dhe dhunë që kanë pasur. Kjo vlen edhe për ish-të përndjekurit.
Zoti Meksi, ju veproni në spektrin e djathtë. Sa është e vështirë në një fushatë duke pasur përballë Partinë Demokratike, e cila praktikisht përfaqëson pjesën më të madhe të elektoratit të djathtë?
Për fat të keq Partia Demokratike nuk është ajo parti që kemi themeluar ne. Nuk janë më ata njerëz, nuk është më ai program, nuk ka ato rregulla demokracie që ishin fillestare dhe që shpresonim se do të përmirësoheshin, mohon mendimin ndryshe, nuk ka një anëtar, një votë për zgjedhjen, pra për përfaqësimin, që është kusht themeltar transparenca dhe përfaqësimi. Ligji elektoral i bërë nga të dyja partitë në mënyrë tepër jo të rregullt, jodemokratike brenda dy-tri ditësh, u bë për të justifikuar praninë të vetëm këtyre dy partive. Ka një intolerancë ndaj atyre që mendojnë ndryshe, që është shenjë e një degradimi të demokracisë dhe degradimi moral të krerëve të këtyre dy partive, që mund të identifikohen me njëri-tjetrin shumë lehtësisht, sepse nuk thonë gjëra të ndryshme nga njëri-tjetri. Dhe kjo intolerancë që shfaqet në financimet në fushatë, në dhunën ndaj palës tjetër, ndaj obligimit për të votuar për partinë me celularë, në marrjen në aheng-mitingjet me zor të nëpunësve të shtetit. Këta njerëz, mundet edhe për shkak të përfshirjes dhe në punë jo të pastra, nuk mund ta konceptojnë veten që të jenë jashtë pushtetit, aq më tepër që thuhet se janë marrë vesh me njëri-tjetrin, sepse nuk po shohim një fushatë reale. Janë më të dhunshëm ndaj partive të vogla se ndaj të mëdhave.
Duke parë një vlerësim të tillë që bëni ju, kjo e shmang mundësinë e një aleance, në rast të një fitoreje të mundshme të zgjedhjeve nga e djathta?
Unë e kam thënë edhe njëherë tjetër për Zërin e Amerikës që ne nuk bëjmë aleancë me të majtën, ndërsa koalicionet në ligj proporcional janë paszgjedhore dhe rezervohemi të flasim, por kemi thënë kushtet që ne nuk pranojmë të kemi të bëjmë me njerëz që s’janë demokratë, që janë njerëz që nuk punojnë për shtetin, por për vete.
Do të ishin në këto kushte të mundshme, të një aleance të mundshme edhe përfshirja në programin e qeverisjes së ardhshme të disa pikave të programit tuaj?
Kjo do të ishte kusht. Ne kemi dalë të bindur se kjo është e vërtetë, kjo është e drejta, jo të bindur si gjithë partitë e tjera që thonë se e drejta është detyrim. Këto janë modeli perëndimor. Në qoftë se flasim për kontrollin e pasurisë, në qoftë se flasim kundër kriminalizmit, kundër nepotizmit, kundër klientelizmit, kjo do të thotë që jemi për një meritokraci të tipit perëndimor, jemi kundër korrupsionit. Në qoftë se të tilla gjëra nuk futen në programin e qeverisë së ardhshme, reformën fiskale etj., do të thotë që nuk kemi asgjë të sigurt në dobi të shqiptarëve, sipas nesh dhe sipas modeleve që ne kemi marrë, dhe një koalicion i tillë do të ishte i padobishëm dhe i turpshëm për ne.
Zoti Meksi, edhe një pyetje të fundit. Cili është mesazhi juaj për zgjedhësit, për votuesin shqiptar? Pse duhet të zgjidhte Polin e Lirisë?
Votuesi shqiptar tashmë e ka të qartë gjatë këtyre 12 vjetëve se kush janë këto parti dhe këta njerëz. Vetë fushata tregon si dhe përse po luftojnë, mjetet e pandershme me të cilat po luftojnë, financimet, parullat, mitingjet etj., dhunën ndaj kundërshtarëve të tyre. Dhunë verbale tej çdo ekstremi. Të votojnë për programin, për njerëzit që ofrojmë, të votojnë duke menduar të ardhmen e tyre evropiane, të ardhmen e fëmijëve të tyre. Në të kundërt, do të jetë kjo zvarritje e tejskajshme e tranzicionit me teprime gjithnjë negative për shqiptarë dhe Shqipërinë.