Monitorimi i Kuvendit: PD ktheu në ligje vetëm 20% të platformës elektoraleNga Tema Raporti përfundimtar i lëvizjes “Mjaft!” për monitorimin e punimeve të Kuvendit gjatë legjislaturës që është mbyllur, nxjerr në pah se vetëm 20% e nismave l
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Monitorimi i Kuvendit: PD ktheu në ligje vetëm 20% të platformës elektoraleNga TemaRaporti përfundimtar i lëvizjes “Mjaft!” për monitorimin e punimeve të Kuvendit gjatë legjislaturës që është mbyllur, nxjerr në pah se vetëm 20% e nismave ligjore që janë ndërmarrë nga partia në pushtet dhe që janë miratuar më pas, janë në përputhje me platformën e saj elektorale.
Kështu, nga 529 nisma ligjore, vetëm 106 janë në përputhje me platformën elektorale të saj, një numër shumë i vogël për një parti në pushtet. Grupi parlamentar i Partisë Republikane ka arritur të prekë platformën dhe premtimet zgjedhore me 170 nga 529 nisma ligjore ose 32.1% të këtyre nismave të monitoruara. Por premtimi më i rëndësishëm zgjedhor që kjo parti ka pasur në fushatën zgjedhore të vitit 2005, ai mbi zgjidhjen e problemit të kthimit dhe kompensimit të pronës, jo vetëm që nuk është mbrojtur, por qëndrimi i këtij grupi shkon kundër platformës elektorale, me të cilën kjo parti u votëbesua nga elektorati.
Për sa i takon krahasimit mes mënyrës se si kanë votuar deputetët gjatë katër viteve të mandatit parlamentar dhe shqetësimeve që qytetarët shqiptarë kanë identifikuar si më të rëndësishme, sipas sondazheve parazgjedhore, vërehet se këto shqetësime janë prekur përmes veprimtarisë legjislative në masën e vetëm 20.4%.
Si dhe në raportet e tjera vjetore për punimet e Kuvendit, stafi i UnëVotoj ka bërë të ditur se shumë ligje janë miratuar në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Kjo për shkak se, ose është votuar për të tjerë deputetë pa qenë të pranishëm dhe ata, ose mbledhjet e komisioneve parlamentare nuk kanë plotësuar kuorumin e nevojshëm.
“Kështu, rezulton që së paku 104 ligje, që sot kanë fuqi të plotë vepruese, të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të rregullave procedurale, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre, çka përbën rreth 20% të të gjitha ligjeve të miratuara dhe monitoruara nga skuadra UnëVotoj”, - thuhet në raport.
Një tjetër shkelje e rregullores që mund të konstatohet lehtë nga të gjitha është ajo e mospërdorimit të celularëve në seanca.
Gjithashtu në parlamentin që lamë pas, tri grupe parlamentare, grupi Agrar-ambientalist, grupi Demokristian dhe ai Qendra Demokrate përbëheshin nga 6 deputetë, në një kohë që rregullorja sanksionon përbërjen e çdo grupi parlamentar nga minimalisht 7 deputetë.
Hartuesit e këtij raporti thonë se Kuvendi ka miratuar më shumë marrëveshje sesa ligje.
“Në katër vite puna legjislative e Kuvendit të Shqipërisë mund të përshkruhet si e orientuar në 53.3% të saj drejt ratifikimeve të marrëveshjeve ndërshtetërore/rajonale/ndërkombëtare, në 33% drejt ndryshimeve të legjislacionit ekzistues (ku 23.4% e ndryshimeve janë bërë për ligje të miratuara brenda legjislaturës) dhe vetëm 13.6% e veprimtarisë parlamentare i është kushtuar hartimit të nismave të reja ligjore, të nevojshme për plotësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor të vendit, i cili jo rrallë është kritikuar për mangësi”, - thuhet në raport.
Kuvendi mbushet plot, kur votohet për minierat dhe infrastrukturën
Monitorimi vëren se mesatarja e prezencës së deputeteve në katër vite është 76.5% të të gjitha çështjeve të diskutuara dhe miratuara në Kuvendin e Shqipërisë. Vlen të theksohet se tendenca e pjesëmarrjes së deputetëve në veprimtarinë parlamentare ka qenë në rënie pas vitit të parë të mandatit, për t’u rritur më pas gjatë 4-mujorit të tretë të vitit 2007, periudhë në të cilën janë miratuar pjesa më e madhe e marrëveshjeve të shfrytëzimit minerar dhe atyre të huas për investimet në infrastrukturë. Trendi i prezencës së përgjithshme të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka pësuar një rënie me 7.8% gjatë vitit 2008 me fillimin e parakohshëm të veprimtarisë elektorale.
Shqipëria e varfër, por deputetët shpenzojnë më shumë se homologët e vendeve të pasura të BE
Shpenzimet operative të buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë, të cilat shkojnë vetëm në ndihmë të deputetëve (po lëmë jashtë shpenzimet e administratës së Kuvendit, të cilat janë të papërfillshme në krahasim me shpenzimet që po shqyrtojmë), për një vit buxhetor, duhet të arrijnë domosdoshmërisht shifrën rreth tre milionë dollarë amerikanë, përndryshe thyhet ligji. Në këtë shifër, e cila përbën gati gjysmën e buxhetit të përgjithshëm të Kuvendit, zërat më të rëndësishëm janë: karburant për transportin e deputetëve, mirëmbajtje auto + goma + sigurim automjetesh, telefona celularë, hotel për shoferët e automjeteve; dieta për deputetë dhe për shoferët e tyre, si dhe pjesëmarrja në komisione. Nëse bëjmë një pasqyrë të ndryshimeve të buxhetit të Kuvendit për Legjislaturën e XVII parlamentare, vihet re një rritje progresive nga viti në vit. Në vitin 2006 buxheti i Kuvendit për sa i përket shpenzimeve
operative ka qenë në vlerën 260.000.000 lekë (të reja) që përbën rreth 27.6% të totalit, në vitin 2007 rritet në 299.650.000 lekë (të reja) që përbën rreth 28.1% të totalit, në vitin 2008 rritet në 343.000.000 lekë (të reja), në vitin 2009 rritet në 373.000.000 lekë (të reja), në përqindje 35.7% e totalit.
Zëri më absurd i këtij buxheti, i cili sidoqoftë është i mbështetur në ligjet e kaluara nga deputetët për veten e tyre, është ai që lidhet me transportin e deputetëve. Absurditeti i këtij buxheti qëndron në faktin se krahasuar me shumicën e vendeve perëndimore apo të rajonit, këto shpenzime janë shumë më të larta në vendin tonë. Parlamenti i Irlandës, vend i cili ka Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) për banor më të lartë në Bashkimin Evropian, harxhon 6% të buxhetit të përgjithshëm të parlamentit për transportin e deputetëve dhe senatorëve bashkë. Ndërkohë, buxheti i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë parashikon 20% të tij për transportin e deputetëve. Një vend i zhvilluar dhe me territor të madh si Finlanda (që vjen pas Irlandës për GDP për banor më të lartë në Bashkimin Evropian), nuk iu siguron automjete deputetëve; ata kufizohen në udhëtime me tren dhe transport publik, dhe me taksi vetëm për çështje legjislative dhe vetëm brenda kryeqytetit, Helsinki.
Çdo deputet i Kuvendit tonë është i pajisur me automjet, ndërkohë që në disa nga vendet më të zhvilluara të Evropës si Franca, Gjermania apo Norvegjia, deputetëve nuk iu sigurohet automjet, por kanë në dispozicion një numër të kufizuar automjetesh në një park, ku duhet të planifikojnë udhëtimet - të cilat mund të kryhen vetëm brenda kryeqyteteve, dhe vetëm për çështje legjislative; nëse nuk ka automjete në dispozicion, ata duhet të përdorin taksi. Kjo metodë funksionon edhe për Norvegjinë, që është vendi me mirëqenien më të lartë në botë, dhe parku i automjeteve i parlamentit të saj përbëhet vetëm nga tri vetura të mira, të cilat përdoren vetëm në raste dhe takime të veçanta. Në këto tri vende deputetëve iu sigurohet transporti me tren ose mjete të tjera të transportit publik.
Nga ana tjetër, nëse krahasojmë shpenzimet në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë me buxhetin e disa vendeve që ngjajnë me vendin tonë, do të dallojmë disa të dhëna domethënëse. Për shembull, buxheti i parlamentit të Estonisë, vend që sapo ka hyrë në Bashkimin Evropian, dhe me të shkuar të ngjashme me atë të Shqipërisë (e kaluar komuniste, popullsi e vogël, pozicion gjeografik mes lindjes dhe perëndimit etj.), iu siguron parlamentarëve vetëm 591 Euro në muaj për të gjitha shpenzimet e tjera përveç rrogës, ndërsa shpenzimet e parlamentit shqiptar vetëm për transportin e deputetëve (ku përfshihet automjeti, shoferi, karburanti, mirëmbajtja etj.) arrijnë 1000 Euro në muaj.
Një vend tjetër i rajonit, me GDP për banor pak më të madhe se ajo e vendit tonë, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, nuk iu siguron automjete deputetëve të parlamentit. Parlamenti i këtij vendi iu ofron deputetëve vetëm 60 Euro/muaj për biseda me celular. Buxheti i Kuvendit të Shqipërisë siguron 140 Euro/muaj shpenzime bisedash me celular, si dhe biseda të pakufizuara me telefona linje brenda Tiranës, pra më tepër se dyfishi i asaj që harxhojnë deputetët maqedonas, që kanë GDP për banor më të lartë se Shqipëria.