E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, një çadër-shkollë nxënësve në zonat e tërmetit

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

As ditën e dytë të vitit shkollor 2009-2010, shkollat e fshatrave Cerenec e Lupalesh nuk i kanë hapur dyert.
Shkak për këtë janë bërë dëmtimet serioze të objekteve nga tërmeti i 6 shtatorit. Zyra Arsimore e Rrethit Bulqizë bëri të ditur se janë dëmtuar rëndë shkolla 9-vjeçare Lupalesh dhe ajo e ciklit të ulët Cerenec. Numri i nxënësve është i reduktuar, por askush nuk guxon të marrë përsipër të hapë dyert e shkollave të rrënuara. “Janë afro 50 fëmijë të fshatrave Lupalesh dhe Cerenec i Poshtëm, që nuk kanë pasur mundësi të vijojnë vitin e ri shkollor si të gjithë fëmijët e tjerë të vendit”, thanë për “Panorama” zyrtarë të komunës Gjoricë. Më tej ata shtojnë se krahas dëmtimit të qindra shtëpive, tërmeti i fundit dëmtoi rëndë, madje i nxori jashtë funksionit dy shkolla dhe një qendër shëndetësore. Kryetari i komunës Gjoricë, Xhelal Mera shprehet se lëkundjeve të forta të tërmetit nuk i kanë shpëtuar as objektet social-ekonomike. “Dy shkollat e dëmtuara kanë krijuar shqetësim për nxënësit dhe prindërit e këtyre dy fshatrave. Sot nuk diskutohet se në ç’gjendje ishin këto objekte, por cilat janë masat që ne duhet të marrim që edhe fëmijët e Lupaleshit e Cerenecit të nisin mësimin. Kemi menduar të sigurojmë ndonjë objekt privat që nuk është dëmtuar nga tërmeti, por kjo është e vështirë për situatën që jetojmë”. Halit Mjeshtri, kryetar i fshatit Cerenec shprehet se ka informuar Zyrën Arsimore të Rrethit Bulqizë, komunën, prefekturën, këshillin e qarkut dhe struktura të tjera shtetërore, duke kërkuar krijimin e mundësive për hapjen e shkollës. “Ne po jetojmë ditë të vështira, ndërkohë nuk mund të tolerojmë mbylljen e shkollës. Shteti duhet të mundësojë hapjen e saj, pasi nuk është e drejtë që fëmijët të mbeten analfabetë. Nëse nuk gjendet një ndërtesë të ngremë një çadër të madhe në qendër të fshatit, ta kompletojmë me stola e tavolina, ta furnizojmë me energji dhe të nisë mësimi deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër”, nënvizoi Mjeshtri. Probleme të shumta janë evidentuar në ditët e para të vitit të ri shkollor edhe në fshatrat e tjerë të Shupenzës e Gjoricës. Prindërit ankohen se nuk mund t’i përgatisin fëmijët në çadra, aty ku mungojnë kushtet më elementare të higjienës, studimit, etj. Shkollat u shkatërruan nga tërmeti i 6 shtatorit, bashkë me qindra banesa në komunat e Bulqizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›