Meksi: Qeveria të rishikojë buxhetin e 2010
“PS apelon, për nevojën urgjente të rishikimit të buxhetit të 2010 në mënyrë që vendi mos shkasë në katastrofën e pakthyeshme të borxheve që vijnë nga shpenzimet e papërballueshme, në kushtet kur vendi po ballafaqohet me këtë nivel të ardhurash që po ulet vazhdimisht”, theksoi deputetja Ermelinda Meksi. Ajo u shpreh se duke kaluar në Kuvend akti normativ për buxhetin e vitit 2009, maxhoranca pranon zyrtarisht mosrealizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit. “Ju bëjmë me dijeni se së fundi, në një dokument për kuadrin makroekonomik, qeveria në mbledhjen e saj të datës 7 janar ( botuar në gazetën zyrtare të 19 janarit 2010), parashikon jo vetëm uljen e PPB (në nivelin e 1143 miliard lekë), por në të vërejmë me shqetësim se ndërsa në aktin normativ të 31 dhjetorit, ajo ka parashikuar një nivel të ardhurash prej 319 miliardë lekë për 2009 dhe deficiti prej 81,6 miliard, disa ditë më vonë pra në 7 janar,qeveria parashikon një nivel tjetër të pritshëm për të ardhurat buxhetore prej 301 miliardë lekë, pa sqaruar se ku do arrijë deficiti”, u shpreh ajo. Në emër të Partisë Socialiste, Meksi denoncoi mungesën e transparencës mbi të ardhurat e buxhetit duke i “kërkuar përsëri Kryeministrit dhe Ministrit të Financave të deklarojnë publikisht sa është niveli i realizimit të të ardhurave buxhetore për dhjetorin dhe tërë vitin, si dhe nivelin e deficitit buxhetor për vitin 2009”.