E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: “Të rishikohet në mënyrë urgjente buxheti i 2010-ës”

Autori i Lajmit: Redaksia
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, i kërkon Qeverisë që, krahas vëmendjes për situatën politike në vend, të ketë në plan të parë dhe krizën ekonomike. “Ndërsa jemi në shkurt 2010, këto ditë po kalon në Kuvend një akt normativ për buxhetin e vitit 2009, i cili për të tretën herë brenda një viti ndryshon të ardhurat buxhetore në drejtim të uljes. Me këtë akt mazhoranca pranon zyrtarisht mosrealizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, duke zyrtarizuar sa opozita kish parathënë me kohë”,- tha Meksi. Sipas saj, ka mungesë të transparencës qeveritare se të ardhurat buxhetore si 11-mujor (janar-nëntor 2009) janë rritur sa është rritja e çmimeve pra me 102.2 për qind. Kjo shifër, sipas saj, përgënjeshtron propagandën qeveritare për rritje ekonomike, sepse sipas këtyre të dhënave ajo, rritja ekonomike, rezulton zero. Meksi shtoi gjithashtu se PS mendon se roli i qeverisë është të parashikojë dhe, për rrjedhojë, të zvogëlojë efektet e padëshiruara në ekonomi, për këtë janë specialistët dhe institucionet e saj në të kundërt ajo ka dështuar e duhet larguar për të mos na sjellë më plagë e kriza të reja. “Prandaj PS apelon, për nevojën urgjente të rishikimit të buxhetit të 2010 në mënyrë që vendi të mos shkasë në katastrofën e pakthyeshme të borxheve që vijnë nga shpenzimet e papërballueshme, në kushtet kur vendi po ballafaqohet me këtë nivel të ardhurash që po ulet vazhdimisht”,- tha Meksi.
Ky lajm është publikuar: 02/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›