Plani sekret, Djegia e mandateve, PS gati ta çojë në Kushtetuese
Autori i Lajmit: Suela TopiPartia Socialiste duket se po shqyrton të gjitha argumentet dhe mundësitë ligjore për të kundërshtuar argumentet e Qeverisë lidhur me djegien e mandateve. Mësohet se socialistët në limitet kohore të bojkotit 6-mujor po shqyrtojnë mundësinë që ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të interpretojë, nëse është ligjërisht korrekte dhe në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, ideja e djegies së mandateve të Grupit Parlamentar të përbërë nga plot 64 deputetë. Një lëvizje e tillë, e minutës së fundit, do të shtynte pa afat mundësinë e zëvendësimit të deputetëve të majtë, të artikuluar vazhdimisht nga mazhoranca në formë presioni ndaj kundërshtarëve. Ky plan ende sekret dhe në fazën e përpunimit, duket se bën që edhe deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në parti, të cilët janë shprehur se do të hyjnë në Kuvend, të rimendojnë këtë lëvizje.
Qëndrimi
Deputeti Kastriot Islami është shprehur se në bazë të këtij gjykimi të drejtuesve socialistë do të ketë një vendim të mëtejshëm. Një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, sipas planit të socialistëve, do të mund të shndërronte në qesharake deklaratën e mazhorancës dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, se mandatet e socialistëve do të digjeshin për tu zëvendësuar me emra të tjerë të listës nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Opozita beson se kërcënimi i shumicës parlamentare është vetëm një presion absurd dhe diversion i radhës i saj, në mënyrë që socialistët të hyjnë në Kuvend. Nga ana tjetër, disa nga konstitucionalistët më të njohur në vend, pak kohë më parë kanë pohuar se koncepti i djegies se mandatit është vetëm për individë dhe jo për grupe parlamentare, e veç kësaj, Kushtetuta flet për një rast të tillë kur deputeti mungon 6 muaj, pasi e ka bërë të vlefshëm mandatin, gjë që nuk ka ndodhur me deputetët socialistë. Pikërisht në këto pika pritet të mbështetet edhe arsyetimi i kërkesës së opozitës drejt Gjykatës Kushtetuese. Por mazhoranca vazhdon të mos tërhiqet nga ideja për djegien e mandateve të socialistëve. Berisha pohoi pak ditë më parë se për këtë çështje do të zbatohet ligji. “Mosbërja e betimit është përcaktuar në Kushtetutën e vendit, si një kusht i pavarur për të humbur mandatet. Kjo është kushtetuese. Mosparaqitja për 6 muaj rresht është përcaktuar si kusht për të mbrojtur Parlamentin nga bojkoti. Në 4 mars, për fat të keq, të dy këto kushte hyjnë në fuqi. Nuk është shumica që vendos, këtu është zoti Rama që vendos tua djegë mandatin ose jo atyre 64 deputetëve”, - tha ai. Të njëjtin argument ka mbështetur dhe numri dy i qeverisë, Ilir Meta. “Për sa i takon çështjes së mandateve, absolutisht që do të zbatohet Kushtetuta. Shqipëria do të ecë në rrugën e stabilitetit, të ndërtimit të shtetit ligjor, duke pasur si princip bazë respektimin e Kushtetutës nga të gjithë dhe për të gjithë. Brenda kësaj hapësire, çdo lloj dialogu, çdo lloj zgjidhjeje politike që rrit mirëbesimin midis palëve, është tepër pozitive. Por Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke shkelur Kushtetutën”, – ka deklaruar ai.
S.T
PS
“Kushtetuesja rrëzon për të 17-ën herë Qeverinë”
Partia Socialiste ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar me 9 vota pro dhe asnjë kundër ligjin për Lustracionin apo ligjin e dosjeve siç njihet ndryshe. Sipas socialistëve, me këtë vendim të Kushtetueses Berisha ka shënuar një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela, por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Evropë. “Sot Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17 të Sali Berishës ndaj Kushtetutës, duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Evropës”, - tha deputetja socialiste, Shegush Ligori. Sipas saj, dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri për të cilin Partia Socialiste është e gatshme të japë kontributin e saj. Një ligj i ri, i cili sipas Ligorit, në radhë të parë duhet të respektojë Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Sepse Sali Berisha duhet ta dijë se hetimi i krimeve të së shkuarës nuk mund të bëhet për të larë mëkatet e së tashmes”, - tha ajo. Gjykata Kushtetuese vendosi në mënyrë unanime të rrëzonte ligjin e dosjeve, të cilin e cilësoi antiligjor dhe antikushtetues. Vendimi i saj u mor pas marrjes së mendimit nga Komisioni i Venecias, i cili u shpreh pro ligjit të miratuar në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Një vit më parë, Partia Socialiste paditi në këtë gjykatë ligjin, i cili hapi një debat të gjerë publik dhe politik, i cili kërkonte hapjen e dosjeve të kohës së komunizmit për një kategori të gjerë ish-funksionarësh shtetërorë. Gjykata Kushtetuese, mori menjëherë pas depozitimit të kërkesës vendimin e pezullimit të zbatimit të ligjit, vendim që u prit me kritika dhe akuza nga ana e mazhorancës që e kishte miratuar atë në Kuvend. Gjykata nuk u nxitua në marrjen e vendimit për ligjin e dosjeve, po iu drejtua Komisionit të Venecias, që të shprehej për këtë çështje. Ky komision, të cilit Gjykata Kushtetuese i është drejtuar dhe në raste të tjera të ligjeve delikate që kërkojnë një ekspertizë evropiane, pak muaj më vonë, dha opinionin e saj duke e cilësuar ligjin për pastërtinë e figurave një ligj të zakonshëm, ndërkohë që ai duhet të merrte një shumicë të cilësuar në Kuvend. Ndërsa nga pikëpamja kushtetuese, ky ligj sipas Venecias, bie ndesh me përcaktimet kushtetuese se kur një funksionar shtetëror mund të lërë postin e tij. Sipas arsyetimit të bërë nga Komisioni i Venecias, ligji hyn në ligjet e thjeshta e ndonëse për nga natyra e tij nuk mund të ndryshojë çka parashikohet në Kushtetutë, modifikon garancitë kushtetuese të përcaktuara për funksionarët e lartë të shtetit.
Ky lajm është publikuar: 02/02/2010