E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: “Ligjin për dosjet do ta çojmë në Strasburg”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Demokratike ka kundërshtuar hapur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi ligjin për Lustracionin. Ndryshe nga herët e tjera, kur është shprehur se do të zbatojë vendimet e kësaj strukture, edhe pse do të ishin kundër saj, këtë herë PD ka zgjedhur të deklarohet publikisht kundër, duke paralajmëruar madje se do të kërkojë zgjidhjen e kësaj çështjeje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Shtypi shqiptar njoftoi sot se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese”, - tha dje deputetja demokrate, Mesila Doda. Ajo e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si aktin më të rëndë në mbështetje të krimeve të rënda kundër njerëzimit të sistemit komunist, krime të cilat janë kryer sistematikisht në këtë vend për 50 vjet rresht. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në dhunim flagrant të direktivës së 23 qershorit 2008 të Gjykatës së Strasburgut mbi konfliktin e interesit të trupave gjykuese dhe të parimit universal të konfliktit të interesit”, - tha ajo. Doda nuk kurseu as akuzat e drejtpërdrejta ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin 89, janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit. Theksoj se ky vendim shënon një akt të hapur kundër paqes sociale në vend, dhe për këtë arsye jam sot këtu si deputetë dhe si anëtare e delegacionit të Parlamentit Shqiptar pranë Këshillit të Evropës, për të garantuar opinionin publik se si individualisht, ashtu edhe me kolegë të tjerë, do të bëj çdo përpjekje që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj në mënyrë ligjore”, - tha ajo. Doda bëri të ditur dhe mundësitë ligjore që do të shfrytëzojë PD për të kundërshtuar vendimin e marrë. Sipas saj, opsionet që do të merren në konsideratë janë paraqitja e një ligji të ri në Parlament, për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar ose dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Ju bëj me dije gjithashtu, se së bashku me kolegë të tjerë, nuk do të ngurrojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste”, - tha ajo. Që në momentin e ankimimit të këtij ligji në Kushtetuese ,PD kërkoi përjashtimin nga shqyrtimi i tij të disa gjyqtarëve që, sipas saj, kanë qenë ekzekutorët e vendimeve të pushtetit komunist. Por kjo gjë nuk u mor parasysh nga Gjykata Kushtetuese.

Ky lajm është publikuar: 02/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›