Sneijder mbetet në Inter
Wesley Sneijder ka insistuar se nuk do të largohet nga Inter gjatë afatit kalimtar të verës. Reprezentuesi holandez spekulohet se është objektiv i Chelseas dhe dy klubeve të Manchesterit, United dhe City, por ai nuk planifikon të lëvizë nga Giuseppe Meazza.
“Ekziston një atmosferë familjare në Inter dhe janë të gjithë përbërësit për të pasur synime të mëdha”, tha Sneijder për ueb faqen zyrtare të Interit www.inter.it.
“Milano është e shkëlqyeshme, piktoreske dhe përplot elegancë. E dua shumë. Për momentin jam shumë i lumtur këtu dhe nuk shoh arsye pse duhet të largohem”, u shpreh ai.
Plejmejkeri 27 vjeç iu bashkua Interit nga Real Madridi më 2009 dhe i ndihmoi Nerazzurrët të fitojnë Ligën e Kampionëve, Scudetton dhe Kupën e Italisë në vitin e tij të parë me ekipin.
Lëndimet ia kufizuan paraqitjet në edicionin e fundit, ku shënoi vetëm katër gola në 25 ndeshje për Interin në Serie A. Nerazzurrët përfunduan në pozitën e dytë, pas rivalit të qytetit Milan. Sneijder ka kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2015.