Meksikë, arrestohet vrasësi i 75 njerëzve

Autoritetet e sigurisë në shtetin veri-lindor të Meksikës, Nuevo Leon, kanë arrestuar një person i cili ka pranuar se ka vrarë të paktën 75 persona. Zyra e Prokurorisë Publike ka njoftuar se Enrique Aurelio Elizondo, 35 vjeçar, me pseudonimin “Arabi” është arrestuar më 20 janar së bashku me tre persona të tjerë.
Ndërsa tre pjesëtarë të tjerë të celulës kriminale të udhëhequr nga “Arabi” mbeten në arrati. Aurelio Elizondo që dyshohet se është pjesë e bandës së drogës, Los Zetas, ka pranuar se ka vrarë dhe ekzekutuar edhe njërëz të pafajshëm që mund të mos kenë qenë pjesë e bandave rivale të drogës. Kështu, ai ka thënë se ka vrarë edhe pasagjerë të linjave urbane, gjashtë oficerë policie dhe madje edhe dy vajza të vogla. Elizondo, operonte në zona si Sabinas Hidalgo, Anahuac, Paras dhe Cerralvo, në veri të Nuevo Leon gjatë tre viteve të fundit. Autoritetet meksikane e kanë prezantuar atë edhe para mediave dh publikut.
Në janar të 2011, Elizondo dyshohet se ka marë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e 48 pasagjerëve të një autobusi. Në mars të po këtij viti, edhe dy autobusë të tjerë i rrëmbyen dhe u ekzekutuan 21 persona të tjerë. Policia thotë se edhe për këtë ngjarje, Eliozondo është fajtor. Po sipas policisë, 75 janë personat që janë deklaruar të vrarë prej tij, por numri i tyre mund të arrijë në më shumë se 100. Banda “Zetas”, e formuar në 1990 besohet se qëndron pas krimeve më mostruoze dhe të përgjakshme ndaj civilëve ndër vite.