“Meloni e paaftë të merret me emigrantët”/ Deklarata e ministrit të brendshëm sjell tensione mes Romës dhe Parisit

Komentet e ministrit të Brendshëm francez ndaj kryeministres italiane mbi emigracionin kanë shkaktuar një incident diplomatik me Italinë.
Në një intervistë për mediet, Gerald Darmanin, tha se kryeministrja italiane Georgia Meloni “nuk është në gjendje të zgjidhë problemet e migracionit për të cilat ajo u zgjodh”.
Pas kësaj interviste ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Italisë. Ai i konsideroi komentet “të papranueshme” dhe anuloi udhëtimin e planifikuar për në Paris.
Në një përpjekje për të zbutur këtë përplasje, Ministria e Jashtme franceze tha se dëshironte të punonte me Italinë për sfidat e përbashkëta.
Ndërkohë këtë vit Italia është ndeshur me një rritje dramatike të numrit të emigrantëve që mbërrijnë nga Tunizia përmes detit, ndërsa autoritetet kanë nisur një fushatë kundër emigrantëve pa dokumente nga Afrika Sub-Sahariane.
Shumica e 42 mijë emigrantëve që kanë ardhur nga Afrika e Veriut këtë vit kanë janë nga Tunizia, duke bërë që Italia të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Rritja e mprehtë e numrit të emigrantëve ka shkaktuar probleme për partinë e ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë të zonjës Meloni, e cila fitoi zgjedhjet vitin e kaluar duke premtuar se do të godiste emigracionin e parregullt.
Ministri i Brendshëm francez, duke folur në radion RMC, tha se qeveria italiane ishte e paaftë për t’u marrë me presionin që sjell emigracioni. Ai fajësoi Romën për fluksin e lartë të emigrantëve.
Por ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani u kundërpërgjigj, duke u shprehur se “fyerjet e Gérald Darmanin ndaj qeverisë dhe Italisë ishin të papranueshme. Kjo nuk është fryma në të cilën duhet të trajtohen sfidat e përbashkëta evropiane”
Tajani anuloi një vizitë në Paris, ku do të takohej me homologen e tij franceze Catherine Colonna mbrëmjen e sotme.
Ministria e Jashtme franceze që atëherë ka kërkuar të zbusë tensionet. “Qeveria franceze dëshiron të punojë me Italinë për të përballuar sfidën e përbashkët të rritjes së shpejtë të fluksit të emigrantëve”, thuhet në deklaratë, transmeton BBC.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria e krahut të djathtë të Italisë ka përplasje me fqinjët e saj francezë që kur erdhi në pushtet tetorin e kaluar.
/rtsh.al/