Melpomeni Nelaj, zëri melodioz i skenës
Melpomeni Nelaj është një emër i talentuar në artin shqiptar. Ajo ishte një nga zërat më brilante të skenës. Edhe pse ajo nisi Shkollën Teknike në Tiranë, talenti i saj spikati dhe më pas nisi e përfundoi me sukses në vitin 1954, Liceun Artistik Jordan Misja. Pedagogia e saj, Artistja e Popullit, Jorgjia Truja, kujton: Melen e kam pasur nxënëse 5 vjet në këtë shkolle. Kishte një vokal të ngrohtë me diapazon të shtrirë.
Në çdo mësim ajo do të sillte diçka të re. Vokali i saj përparonte nga dita në ditë, nga viti në vit. Duke punuar në Filarmoninë Shqiptare që në vitin 1954, e konkretisht në opera, deri në vitin 1960, për të u bë shumë i vështirë kalimi për 1 vit e gjysmë në Estradën e Shtetit e më pas përfundimisht në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore. Ëndrra e saj për Operën u ndërpre ashpër, gjë që ajo nuk e asimiloi dot gjatë gjithë jetës. E bija kujton se shpesh ajo i tregonte për profilin e saj operistik dhe për identitetin e saj si soprano dramatike. Duke vazhduar punën në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, ajo ruajti ngjyrat e këngëtares lirike, duke interpretuar rolet kryesore në operat Arbëria Kryezonjë të Çesk Zadesë dhe Vjeshta e Artë e Tish Daisë. Ajo arriti të ngjyroste me lirikën e saj, këngën popullore dhe atë të kultivuar, por edhe atë të lehtë. Për të u bënë shumë të dashura këngët Zani në Bjeshkë , Kur perëndon Dielli, Hej bie lodra Suita Korale, Nr.3, Agimet Shqiptare, Këngë për elektrifikimin, Sot është dita jone, Rudina dhe Sokoli. Ajo mori pjese aktive në Festivalet e Këngës Popullore, ku u nderua edhe me Diplomë. Në njërin prej tyre, brenda një nate ka kënduar 5 këngë njërën më të bukur se tjetrën, kujton mbesa e saj. Ndër këngët e lehta, mund ta dëgjojmë në Luleshitësja, Zbukurohu moj Tiranë, Valsi i Portokalleve, Raketa Kozmike e shumë e shumë të tjera këngë shqiptare e të huaja. Këto këngë ajo i këndoi me pasion, jo vetëm në skenë, por edhe në veprat e mëdha si hidrocentrale, mes rinisë në aksionet kombëtare, mes fshatarëve. Melpomeni këndoi këto këngë me po atë zjarr e dashuri edhe në koncertet e dhëna në skenat e vendeve të tjera, ku ajo me zërin e saj melodioz , krahas kolegëve të saj, kontribuoi që arti dhe muzika jonë popullore të njihej e të admirohej nga artdashësit kudo në bote. Ajo ishte ndër të paret këngëtare që kënduan, pa u lodhur në Kosove në turneun e vitit 1971, ku zëri i saj bashkohej me atë të popullit të Kosovës në rrugët e sheshet e qyteteve e komunave. Për aktivitetin e saj, ajo dekorohet me Medaljen Naim Frashëri në vitin 1970. Melpomeni ose Mela siç e njohin të afërmit dhe shokët u lind më 7 shkurt 1932 në qytetin e Elbasanit. Ndarja e saj nga jeta më 3 prill 1981, në moshën 49 vjeçare, u përjetua me shumë dhimbje jo vetëm nga familja, por edhe nga të afërmit, miqtë e shokët e saj që e kujtojnë gjithmonë me dashuri dhe respekt figurën e saj. Tipari kryesor njerëzor i saj ishte thjeshtësia. Ende shumë kolegë të saj të Ansamblit nuk dinë, që ajo ka qenë këngëtare e Operës. Ajo nuk fliste kurrë për veten. Dashuria për njerëzit ishte gjithashtu lajtmotivi i jetës.
Email This Klikime: 15
Email This Klikime: 15