E Shtunë, 31 Tetor 2026

Canaj: “1 x 2? Dua tri pikë me Tiranën”

Me katër lojtarë shqiptarë dhe shtatë të huaj në 11-shen e parë kundër Tiranës, Dinamo duket shumë e frikshme, aq më tepër që në të dy ekstremet ka portierin më të mirë të kampionatit, Elivs Kotorin (6 gola të pësuar), por edhe një nga dy sulmuesit më të mirë të kampionati, kroatin Pero Pejiç (13 gola, po aq sa Sinani i Vllaznisë). Trajneri i Dinamos, Agim Canaj, edhe pse ka meritën e padiskutueshme në formatimin e një grupi kompakt që kryeson me bindshëm kampionatin me 9 pikë më shumë se kundërshtari i tij, Tirana, prapë i ruan ngjyrat e një tekniku të kursyer në deklarata. Në stërvitjen e fundit përpara derbit, të zhvilluar gjatë paradites së ditës së premte, ish-trajneri i Besës dhe një sërë ekipesh në Kategorinë Superiore, i dha orientimet e fundit lojtarëve të tij, ku skicoi edhe skuadrën që do të hedhë në fushë nga minuta e parë kundër kampionëve në fuqi. Vetë trajneri ripërsërit deklaratën e përbotshme rutinë: “Derbi është derbi, i ka të tria rezultatet brenda”, por thellë në shpirt e ndjen dhimbjen e humbjes së fazës së parë, aq më tepër që presidenti i tij, Besnik Sulaj, nuk do ta kënaqte maksimalisht një titull me dy hy humbje me Tiranën. Ora e së vërtetës ka ardhur dhe pas udhëzimeve dhe skemave të trajnerëve, do të jenë lojtarët që do të flasin në tapetin e “Selman Stërmasit”. Një fitore do t’i hapte Dinamos rrugën për titull, por një humbje e kombinuar edhe me fitoren e Partizanit në Elbasan, do t’i komplikonte jo pak gjërat për Dinamon.

Canaj, ju pret një derbi që, siç dihet, nuk njeh rival.
Është një ndeshje që na kushton shumë për vazhdimësinë e dy ekipeve si në aspektin e vendit të parë, ashtu edhe për ecurinë e Tiranës. Megjithatë, përballjet Dinamo-Tirana janë ndeshje derbi dhe unë dëshiroj që të zhvillohet një ndeshje mjaft korrekte në të gjitha aspektet dhe ta meritojë ai që jep maksimumin. Duke e parë në këtë prizëm ne jemi të përgatitur për të dhënë maksimumin, pasi dihet qe ndeshje të tilla nuk kanë parashikime.
Duke parë dhe gjendjen në renditje do të jetë i kënaqur Canaj me një pikë?
Ne luftojmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin, por e kam përsëritur shpesh se e rëndësishme për ne është të kryesojmë dhe të mos lejojmë afrimin e rivalëve që janë më afër nesh.
Në fazën e parë Dinamo është mundur 2-0 nga Tirana. E konsideroni se ka ardhur momenti për revansh?
Jo, nuk e konsideroj të tillë. Mendoj së në një kampionat janë shumë beteja dhe ka shumë skuadra që luftojnë për trofe. I konsiderojmë të gjithë rivalë dhe nuk nisem nga rezultati që patëm me Tiranën në fazën e parë. E kam thënë herë të tjera, besoj shumë te gjyqtari i ndeshjes, i cili është ndërkombëtar.
Në rast se në fazën e parë e kontestuam arbitrimin shpresoj që në këtë ndeshje të japim maksimumin dhe të marrë pikët maksimale ai ekip që do të punojë më shumë në fushë dhe do të gabojë më pak.
Një Dinamo që ka katër lojtarë shqiptarë dhe shtatë të huaj në formacionin kundër Tiranës. Sa pozitivisht do të ndikojë kjo?
Kontingjentin e lojtarëve të huaj e kemi pasur gjatë gjithë kohës. Gjatë merkatos u larguan disa lojtarë dhe erdhën të tjerë. E rëndësishme është fakti se çdo lojtar që vesh fanellën e Dinamos të japë maksimumin, pasi skuadra jonë armë më të fortë ka kolektivitetin.
Argjentinasi Hanush do të bëjë debutimin e tij të parë në kampionat.
Ai është pjesë e grupit dhe besoj se do të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe të ndihmojë ekipin maksimalisht.

Allmuça: “Ndaj Tiranës jo hakmarrje personale”

Mesfushori 27-vjeçar, Igli Allmuça, është një nga ata lojtarë të Dinamos, i cili u shpall kampion me Tiranën sezonin e kaluar. Ish-lojtari i Partizanit (fitoi një Kupë dhe një Superkupë me të kuqtë), autori i dy golave në fitoren 2-0 kundër Besës në transfertë e kupton shumë mirë forcën e bardhebluve. “Është një derbi, dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm për ecurinë tonë në kampionat. Kryesojmë me meritë dhe jam i bindur se kjo do të reflektojë edhe në ndeshjen direkt me Tiranën. Fitorja i përket skuadrës dhe zë pak vend në planin personal”, - thotë Allmuça, i cili nuk e konsideron kurrsesi një hakmarrje personale fitoren ndaj ish-ekipit të tij. “A do të jem kampion me Dinamon pas titullit me Tiranën? Të gjitha lojtarët luftojnë për ta fituar kampionatin. Është normale që ekipet më të mira kanë më shumë shanse. Unë do ta dëshiroja një titull, pavarësisht se për momentin kampionati ka akoma sfida të vështira”. Igli është në një mendjen me trajnerin e tij, Agim Canaj. “Në derbi nuk mund të parashikosh asnjë rezultat. Më mirë t’ia lëmë fushës së lojës”, - këmbëngul Igli. Mesfushori pohon se nuk ndihet i mbingarkuar me emocionet e ndeshjes ndaj ish-ekipit të tij. “Ajo më motivon më shumë është sfida delikate me Tiranën. Mendoj se është sfida më e rëndësishme për ne, por jo se kam gjë personale kundër saj”. Pas Tiranës, Dinamo do të ballafaqohet me Partizanin. Për Allmuçën ka një aromë të veçantë, pasi ai është një prodhim i shkollës së kuqe, me të cilët luajti për gjashtë sezone. “Është shumë e veçantë për mua, por dëshiroj të kalojmë me sukses fillimisht Tiranën. Kush më intrigon më shumë? Janë dy rivale të denja me të cilat nuk është e lehtë të ndeshesh dhe që do të luftojnë deri në fund për titullin kampion”.

Pollozhani: “Tirana me nokaut”

Mesfushori i avancuar shqiptar nga Maqedonia, Artim Pollozhani, ishte një nga blerjet dimërore të Dinamos. Lojtari i huazuar nga Tus Koblenz në Bundesliga 2 e ka përvojën e mjaftueshme në kampionatin shqiptar, pasi dhe më parë ka qenë në forcë me Dinamon disa sezone më parë. “Jam i bindur se do ta hedhim nokaut Tiranën. Thjesht, besoj se jemi një ekip më i mirë. Me një tripikësh tonin dhe një hap fals të Partizanit, do të zgjidhim shumë dilema përsa i përket titullit kampion. Më mungon Tus Koblenz? Po, aty kalova shumë mirë falë edhe pranisë së Fatmir Vatës, Adrian Gjokaj dhe tani së fundi erdhi edhe Njazi Kuqi. Shpresoj të rikthehem në verë”.

Vinçetiç: “Tirana – Dinamo në Shqipëri, si Hajduk-Dinamo në Kroaci”

Mesfushori kroat i Dinamos, Goran Vinçetiç, është dhe një nga lojtarët më cilësorë të huaj në kampionatin shqiptar. Në sezonin e tij të tretë me Dinamo, Vinçetiç thuajse mund ta konsiderosh një shqiptar, edhe pse më të lehtë e ka të shprehet në anglisht. “Derbi është derbi, por për ne është e rëndësishme vetëm fitorja. Në të gjitha ndeshjet fitorja vlen tri pikë. Nuk ka rëndësi nëse i marrim kundër Tiranës apo Partizanit, Teutës apo Shkumbinit. Ne nuk dëshirojmë të humbasim edhe tri pikë të tjera ndaj Tiranës”, - thotë Goran. Në ndeshjen e parë Dinamo humbi 2-0 me Tiranën. “Ndaj Partizanit? Një tjetër ndeshje e fortë, unë besoj se nga katër ndeshjet, përfshirë edhe Elbasanin ne do të marrim tetë pikë. Kështu do të ishim edhe në rrugë të mbarë për t’u shpallur kampionë. Do të ishte i titulli i parë për mua, pasi në Kroaci është shumë e vështirë, pasi gjithmonë dalin kampionë ose Dinamo e Zagrebit ose Hajduku i Splitit. Tirana – Dinamo në Shqipëri është si Hajduk-Dinamo në Kroaci”.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 20
Sot
TIRANA-DINAMO
A.Janku, E.Bicaku-L.Mustafaraj
ELBASANI-PARTIZANI
S.Jareci, D.Rexha-A.Lamce
SKËNDERBEU-BESËLIDHJA
Sh.Guce, A.Molla-E.Miho
TEUTA-KASTRIOTI
P.Lapi, P.Goxhaj-S.Zeka
Të dielën
FLAMURTARI-VLLAZNIA
T.Latifi, R.Zhuli-A.Mali
BESA-SHKUMBINI
E.Dobi, E.Bodeci-E.Pjetrushi

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›