Memelli-Sinani, garë midis “makinave të golave”
Migen Memelli e Vioresin Sinani, dy nga yjet e këtij edicioni futbollistik, shënuan të shtunën nga dy gola për Tiranën e Vllazninë në fitoret 4-1 e 3-2 respektivisht me Teutën e Besën, por e mërkura do t’i vendosë sulmuesit e fuqishëm sërish përballë njëri-tjetrit, kur Tirana e Vllaznia do të përballen për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, me synimin jo vetëm të shënojnë, por dhe të udhëheqin skuadrat për të cilat ata militojnë drejt finales, ku njëra prej tyre do t’i japë lamtumirën vazhdimit të Kupës. Takimi i parë në “Loro Boriçi”, i zhvilluar dy javë më parë përfundoi pa gola, dhe askush prej tyre nuk shënoi (Memellit iu anulua një gol), por në takimin e kthimit, ku Tiranës i duhet patjetër të shënojë, roli i sulmuesit pogradecar është i dorës së parë. Migen Memelli është lideri i golashënuesve të këtij kampionati, duke shënuar 19 gola në 25 ndeshje të aktivizuara (2108 minuta lojë, 1 gol çdo 110 minuta).
29-vjeçari i huazuar te Tirana nga Gais i Suedisë është edhe golashënuesi më i mirë në Kupën e Shqipërisë, 8 gola, por Memelli mban dhe dy rekorde absolute këtë sezon: golin më të shpejtë në kampionat, pas vetëm 8 sekondash lojë dhe pesë gola në fitoren 5-0 të Tiranës me Lushnjën. Vioresin Sinani, me 13 gola kryeson listën e golashënuesve të Vllaznisë. Sinani, 3-herë “Këpuca e artë” e Shqipërisë (2003-2004, 36 gola; 2006-2007, 23 gola dhe 2007-2008, 20 gola), ka shënuar deri tani 13 gola në 24 ndeshje të aktivizuara (2018 minuta lojë, 1 gol çdo 155 minuta). Duke parë vijat e para, si të Tiranës e Vllaznisë, dyshja e sulmit bardheblu Memelli-Xhafa ka shënuar së bashku 29 gola (19 Memelli, 10 Xhafa), ndërsa treshja kuqeblu Sinani-Sukaj-Dhembi kanë realizuar 29 gola (Sinani 13, Sukaj 9, Dhembi 7).
GJYSMËFINALISTËT
SHKUMBINI
Merr pjesë për herë të tretë në gjysmëfinale.
FLAMURTARI
Merr pjesë për herë të 17-të në gjysmëfinale.
TIRANA
Merr pjesë për herë të 30-të në gjysmëfinale.
VLLAZNIA
Merr pjesë për herë të tretë 27-të në gjysmëfinale.
KUPA E SHQIPËRISË
Gjysmëfinalet
Ndeshjet e kthimit
29 prill 2009
Shkumbini-Flamurtari (0-1)
Tirana- Vllaznia (0-0)
* Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
29 Prill 2009