E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli, ngrohtësi skandinave

Nga Dritan Ikonomi
Lindur e rritur në klimë të ftohtë, pogradecari Migen Memelli duket se ka gjetur ambientin e dëshiruar në Skandinavinë e largët. Pas një viti në Bergen të Norvegjisë, ka zbritur më në jug, për t'u vendosur në Goteborg të Suedisë. Jo me skuadrën më të famshme të gjithë gadishullit skandinav, por me GAIS, klub që me Goteborgun e madh ndan të njëjtin stadium, "Ulevi". Pas aventurës në fjordet norvegjeze, Memelli është entuziast për fillimin e një karriere të re. - Migen, si po i kalon ditët e para në Suedi? - Deri tani cdo gjë po ecën shumë e mirë, duke filluar që nga pritja që më kanë bërë e deri te stërvitja e ndeshjet, ku kam shënuar. Tani më duhet të gjej edhe një shtëpi, pasi gjatë këtyre ditëve po qëndroj në hotel. - Cilat janë përshtypjet e para për skuadrën e re? - Është një skuadër që synon të renditet në mesin e klasifikimit. Megjithatë, ka trajner një prej emrave më të mëdhenj të futbollit suedez, Roland Nilson, si dhe shumë ambicie për të ardhmen. Deri tani luajmë në stadiumin "Ulevi" por klubi do të ndërtojë një stadium të ri dhe kjo është pjesë e projekteve për të ardhmen. - Mendon se aty do të jesh titullar? - Po, besoj se kështu do të jetë. Në dy ndeshjet e para jam - paraqitur shumë mirë, edhe duke shënuar. Trajneri ma ka bërë të ditur se synon shumë nga unë. - Do të keni vështirësi përshtatjeje? - Cdo fillim është i vështirë, por tani kam më tepër përvojë, pas periudhës që kalova në Bergen. Shpresoj që të paraqitem sa më mirë që në fillimin e kampionatit. Shenjat e para janë pozitive. Në miqësoret e deritanishme kam luajtur si sulmues i avancuar, ndërsa nga pas kam pasur si mbështetës një lojtar mjaft të shpejtë dhe që kuptonte cdo lëvizje timen. - Keni biseduar me trajnerin për të mësuar se cilat janë kërkesat e tij? - Po, kam folur. Më ka bërë të ditur se shpreson shumë nga unë, meqënëse vij nga një skuadër më e fortë se GAIS. Në një gazetë ai ka deklaruar se "Bran Bergen na ka bërë një dhuratë shumë të mirë duke na dhënë Memellin. Nuk e kuptoj se si e lëshuan". - Cilat janë ndryshimet midis kampionatit norvegjez dhe atij suedez? - Në Suedi luhet futboll më i shtruar, ndërsa në Novergji është më fizik. Këtu topi përpunohet më tepër dhe nuk shihet shumë lojë me topa të gjatë. - Cfarë keni fituar nga qëndrimi te Bran Bergen? - Kam mësuar si të jesh profesionist dhe si të jetosh si i tillë. Kam bërë përparime të jashtëzakonshme përsa i përket anës fizike e taktike, ndërkohë që pas cdo stërvitjeje me gjithë skuadrën kam punuar për 30 minuta para portës, cka është e domosdoshme për një sulmues. - Me cfarë përshtypjesh jeni largua nga Norvegjia? - Me përshtypjet më të mira. Në Bergen isha mirë, por nuk po gjeja më vend në skuadër. GAIS Më kishte ndjekur pas rekomandimit të një futbollisti suedez që kishte luajtur në Norvegji. Më pëlqyen kushtet e ofruara dhe nuk u mendova shumë. - Ku mund të shkonit tjetër? - Oferta kisha nga Alesund e Od Grenland në Norvegji, FC Zyrih i Zvicrës, si dhe nga tri skuadra në Ukrainë, midis tyre edhe Vorskla, ku luajnë Dallku e Curri. Preferova GAIS-in dhe jam i kënaqur. Këtu është shumë mirë. - Ndoshta është herët për një pyetje të tillë, megjithatë, ku synoni të shkoni? - Do të më pëlqente të shkoja në Holandë. Një gjë e tillë është plotësisht e mundur, pasi kampionati suedez ndiqet shumë nga manaxherët e klubeve holandezë. Kombëtarja Sezoni nuk ka nisur ende në Norvegji e Suedi dhe gjendja pa futboll aktiv ishte një nga faktorët që e la jashtë kombëtares Memellin. Ndeshjet e radhës janë në qershor, kundër Luksemburgut, dhe në atë kohë sulmuesi synon të jetë përsëri kuqezi. "Me GAIS do të luaj më shumë dhe nëse do të kem shënuar gola deri në qershor, besoj se do të më thërrasin për ndeshjet kundër Luksemburgut", shprehet lojtari. Trajneri Trajneri i GAIS, Roland Nilson, është një futbollistët më të famshëm të Suedisë, i cili ka luajtur 116 herë me kombëtaren. Vetëm portieri Tomas Raveli ka luajtur më tepër se Nilson, i cili ka qenë pjesë e skuadrës që zuri vendin e tretë në kampionatin botëror të vitit 1994, ku luajti një rol kyc në të gjitha ndeshjet e Suedisë. Po ashtu, ka qenë me kombëtaren edhe në botërorin e Italisë dhe në Euro '92, zhvilluar në Suedi. Me IFK Goteborg ka fituar disa tituj kampionë, si dhe Kupën UEFA më 1987. Ish-tifozët Pas largimit nga Bran Bergen, Memelli rrëfen se ka marrë shumë mesazhe nga tifozët e skuadrës norvegjeze. "Sinqerisht, më kanë dalë lotë nga sytë kur kam lexuar nga mesazhet", thotë lojtari, i cili tregon edhe përmbajtjen e disa prej tyre: "Migen, të urojmë gjithë të mirat. Ti do jesh gjithmonë në zemrën tonë, se ke luajtur me shpirt për Branin". "Ndoshta dikush nuk shqetësohet se ike ti, por ne jemi ata qe ndjejmë dhimbje". Gjuha Nga norvegjishtja, në një tjetër gjuhë të vështirë, e cila tingëllon krejt e panjohur për veshin e një jugori të Evropës. Por Memelli tashmë ia ka marrë dorën. "Vjet e kisha më të vështirë se tani, me norvegjishten. Suedishtja është shumë e ngjashme, kështu që nuk kam probleme", thotë. Megjithatë, Suedia është një nga vendet ku anglishtja flitet shkëlqyeshëm dhe komunikimi për lojtarin shqiptar, zotërues i disa gjuhëve, nuk përbën problem.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›