E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Bariç: 3 veteranë të paprekshëm!

Trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Oto Baric i duhen edhe vetëm dy futbollistë të mirë, të ngjashëm me Lorik Canën dhe Debatik Currin, për ta kompletuar ekipin kombëtar. Nga garda e vjetër ai thotë se do të mbajë vetëm tre prej tyre: të palëvizshëm janë pikërisht portieri Arian Beqaj dhe mesfushorët Altin Haxhi e Altin Lala. "Nëse më premton koha dhe nëse jam mirë me shëndet, premtoj që verës në masë të madhe do ta rinovoj skuadrën. Beqaj, Lala dhe Haxhi janë të paprekshëm, pasi na nevojiten shumë".
Përmirësimi
Baric është i bindur se në kualifikimet e ardhshme, Shqipëria do të ketë një ekip të ri dhe të gatshëm për të befasuar të gjithë. "Jemi në rrugë të mirë të bëjmë një skuadër për kualifikimet e ardhshme, gjë të cilën e kam bërë edhe sa kam qenë në krye të përfaqësueses së Kroacisë". Kroati shtoi se që kur ka ardhur në krye të kombëtares, futbollistët e kanë përmirësuar lojën e tyre. Ata, sipas tij, në fillim u ngjanin makinave të vjetra. "Pothuajse të gjithë futbollistët e kanë përmirësuar veten. Janë shumë më efikas dhe më të shpejtë se në fillim. Kur kam ardhur ishin si vetura të tipit të vjetër Mercedes".
Mungesat
Për ndeshjet kualifikuese me sllovenët dhe bullgarët ka ftuar vetëm futbollistët që ka besuar se do të kenë paraqitje të mirë, ndërsa pa ftesa kanë mbetur Igli Tare e Ervin Skela. Mesfushori kosovar, Besnik Hasi, në castet e fundit ka hequr dorë për shkak të një lëndimi. "Së pari nuk e prisja të mungonte Hasi, pasi kishim folur dy herë. Ndërsa pas bisedave me mua ka telefonuar Kovacicin dhe i ka thënë se nuk mund të jetë i pranishëm", u shpreh kroati Baric. "Skela e Tare nuk kanë luajtur shumë në skuadrat e tyre, kështu që nuk mund të jem i sigurt për ta, pasi unë kam kërkuar për këto dy ndeshje lojtarë që kam pasur bindjen se do të jenë të mirë dhe nuk më kanë zhgënjyer".
Luksemburgu
Për dy ndeshjet e ardhshme kundër Luksemburgut që luhen më 2 dhe 6 qershor, Baric ka publikuar skemën taktike: do të jetë loja e presionit. "Kundër Luksemburgut në të dyja përballjet do të luajmë në presing, pasi që të gjithë futbollistët duhet ta mësojnë këtë mënyrë të lojës - deklaroi ai. - Nëse e mposhtim Luksemburgun dhe i marrin gjashtë pikë, atëherë besoj se edhe në ndeshjet e tjera do të regjistrojmë fitore". Kombëtarja e Shqipërisë bën pjesë në Grupin G kualifikues për Euro 2008. Nga pesë ndeshjet e luajtura ka mbledhur tri pikë, të gjitha përmes barazimeve.

Arian Beqaj
Ditëlindja: 25 Gusht 1975
Vendlindja: Prizren
Gjatësia: 187 cm
Pesha: 82 kg
Roli: Portier
Klubi: Anorthosis Famagusta (Qipro)

Altin Lala
Ditëlindja: 18 nëntor 1975
Vendlindja: Kavajë
Gjatësia: 172 cm
Pesha: 64 kg
Roli: Mesfushor
Klubi: Hanover ‘96 (Gjermani)

Altin Haxhi
Ditëlindja: 17 Qershor 1975
Vendlindja: Gjirokastër
Gjatësia: 175 cm
Pesha: 69 kg
Roli: mesfushor
Klubi: Ergotelis (Greqi)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›