Komunat, pa shefe të shtetit

Kryeministri Hashim Thaçi e kryeparlamentari Jakup Krasniqi e kanë të vendosur fotografinë e presidentes, Atifete Jahjaga në zyrat e tyre. Portreti i shefes së shtetit, mund të shihet edhe nëpër zyrat ministrore. Por, e njëjta nuk vërehet së paku në zyrat e dhjetë kryetarëve të komunave që i ka vizituar “Tribuna”.
Varësisht nga orientimi partiak, në to janë parë fotografi të komandantit legjendar Adem Jashari. Janë parë edhe fotografi të ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Nuk kanë munguar as statujat e Skënderbeut, apo edhe ndonjë figurë tjetër e luftës dhe e historisë. Kryekomunarët që nuk kanë fotografi të presidentes në zyrat e tyre kanë dhënë arsyetime të ndryshme, ndonëse të gjithë kanë pranuar se janë në dijeni se Ligji për protokollin e shtetit i obligon për këtë gjë.
Neni 20, pika 3 e këtij ligji shprehimisht e thotë se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, pa përjashtim, duhet të vendosin fotografinë e presidentit të vendit. “Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40x60cm”, thuhet në nenin 20 pika 3 e Ligjit për Protokollin e Shtetit.
Bazuar në këtë dispozitë, pothuajse të gjithë kryetarët e komunave që janë kontaktuar nga gazeta, përgjegjësinë e kanë bartur te protokolli i shtetit, që nuk ua ka dërguar fotografinë e presidentes.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, si njëri prej atyre që nuk e ka të vendosur në zyrë fotografinë e presidentes, ka thënë se zyrën është duke e mbajtur ashtu siç e ka pranuar nga pararendësi i tij.
“Unë e kam gjetur kështu zyrën e kryetarit dhe nuk kam ndryshuar gjë. Nuk e di se për çfarë nuk është vendosur fotografia e presidentes Jahjaga. Por në momentin që ma sjellin dhe thonë që ta vendos, atëherë edhe unë do ta vendos”, është shprehur Ilazi, kryetar në komunën e Kaçanikut. Një arsyetim të tillë kanë pasur edhe kryetarët e tjerë të komunave, ai i Deçanit, Rasim Selmanaj dhe Haki Rugova i Istogut. /Indeksonline/