Memorandumi i ekzaltuar nga Dade është kuintesenca e shtrembërimeve
Pak minuta para zhvillimit të bisedimeve në presidencë, ky memorandum i dorëzohet presidentit Topi nga PS-ja. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në P. Socialiste, Arta Dade, ka publikuar në shtyp “vlerat” e kësaj memoje. Sipas sekretares, në këtë dokument shprehet qëndrimi i palëkundur i socialistëve rreth kërkesave të tyre, në të cilat paraqitet qëndrimi i palëkundur për hapjen e kutive të votimit dhe hetimi parlamentar i zgjedhjeve të 28 Qershorit. është një Kujtesë që të pranishmit t’i kenë parasysh gjatë debateve në tryezë.
Nëse është ky qëllimi i kësaj pro-memorieje, atëherë, përse i duhej dhënë PD-së në minutat që paraprinë mbledhjen dhe jo qoftë edhe një ditë më parë, të paktën, nëse mëtohet që të kihet parasysh se ç’kërkon pala tjetër, PS-ja, në këtë mbledhje presidenciale? Nëse është që PD-ja të ndodhet e befasuar, mos të ketë kohën e nevojshme për shqyrtim, ky mbetet një synim i kotë. Se si me Kujtesë, si pa të, është e njëjta gjë. Nuk ka asgjë të re nga ato që janë thënë e stërthënë gjer në shurdhim. Por mungojnë, ama, shumë gjëra nga ato që do të duhet të thuheshin, përndryshe do të ishte i tepërt edhe ky shkrim.
Por ajo që mund t’i bjerë lehtësisht në sy një lexuesi me këmbët në tokë, është se memorandumi ka një mori trajtesash të shformuara. Edhe këto do të bëjnë objektin e këtij shkrimi. Një Kujtesë nuk mund të jetë një shtjellim propagandistik i dëgjuar për të kushedi të sajtën herë, së fundi pa interes, për njëtrajtshmërinë dhe monotoninë e argumenteve, që duhen vënë nën thonjëza.
Arta Dade ngulmon se qëndrimet e PS-së “kanë gjetur mbështetje edhe në partnerët ndërkombëtarë”! Duket se ende nuk e ka marrë vesh se ndërkombëtarët ia kanë ndryshuar edhe emrin bojkoteve e manifestimeve, duke e quajtur “krizën” që përfshin vendin tonë, -sipas propagandistëve të E. Ramës, - një ngërç të sendërtuar nga një pjesë pasuesish të kreut të PS-së. Sipas Dades “kanë gjetur mbështetje jo vetëm nga partnerët ndërkombëtarë por edhe nga nga koalicioni opozitar”. Madje edhe nga koalicioni me bazë të gjerë djathtas dhe majtas”.
ç’janë këto ëndrra në diell? Le të marrim faktorin ndërkombëtar. Mos të përmendim burrat e mëdhenj të shtetit, emër më emër, në BE dhe në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë kanë dënuar qëndrimin e PS-së , duke i kërkuar kësaj që të hyjë në Parlament. Atje të debatojnë dhe jo në rrugë, - është qëndrimi i prerë kundër manifestimeve të rrugës, që Edi Rama i mban si kalin e betejës së tij. I gjithë “suksesi” i Arta Dades është se ka gjetur njërin, vetëm njërin, që ka folur për numërime të këqija dhe shumë të këqija. Po 99 të tjerët që flasin për zgjedhje nga më të mirat që janë bërë gjatë të gjithë tranzicionit tonë? Këto ditë, zonja Dade, e plotësoi qindshin edhe Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Roberta Angelilli. Mbase ju i besoni vetëm njëshit dhe jo një qindëshit! Ata gjashtë muajt e bojkotit, a e dini ju se ajo i ka quajtur sabotim? Ajo përfaqësuese e AP-së së BE-së ka thënë: “ Pas muajsh të tërë sabotimi total të institucioneve shtetërore,, opozita duhet të bashkëpunojë me qeverinë” dhe e porosit z. Rama që “të rilexojë raportin e nëntorit të vitit 2009, në të cilin e porosit opozitën të ndërpresë bojkotin dhe t’i drejtohet sallës së Kuvendit. Kjo nuk është si ajo që ka përkëdhelur ambicien e Edit për të mbetur kryetar, edhe pasi duhej të ishte i shkarkuar, sipas nenit 28 të statusit të partisë së tij, personi që ka folur për numërim të keq. Dhe, meqë është në titull të AP-së së BE-se, mos të harroni se ua ka vath në vesh, atë shkeljen me këmbë të Rezolutës së Institucionit të saj, që bën fjalë për dënimin e krimeve të komunizmit dhe të nazizmit. Me logjikën tuaj të shtrembërimeve të të vërtetave, përgjigjeni , për kujtesë, për orgjitë për lavdinë e E. Hoxhës në Pezë. Apo do ta mohoni, siç mohoi Edi Rama firmën që ka vënë Kristaq Rama, për varjen e Havzi Nelës në Kukës, për fajësinë se shkruante vjersha dhe se mbante ditar! Këtë e mohoi kryetari juaj në SHBA, kur një i përndjekur politik ia vuri në dukje. Veçse është një mohim i së pamohueshmes. Sepse firma e Kristaqit ka dalë, në fac simite dy herë në gazeta! “Strasburgu i bën thirrje opozitës që t’i japë fund Bojkotit të parlamentit” – shprehet shkoqur Angelilli. Doni edhe një person tjetër, të ditëve të fundit? Jozef Daul, kryetari i Partisë Popullore Europiane e quajti monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve 2009, se siguron që “nuk ka asnjë manipulim rezultati apo parregullsi të procesit”. Ju bini diametralisht në kundërshtim me Zëvendëspresidenten e Parlamentit Europian, që shprehet: “ Rruga e PS-së është ajo e rikthimit në Parlament për të punuar me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike nga qytetarët shqiptarë, që të sigurohen reformat e nevojshme për marrjen e statusit kandidat për anëtarësinë në BE”. Po kuptojnë edhe ndërkombëtarëve se Ramës dhe njerëzve të tij kaq u bën për viza e për BE! Atij i duhet vetëm pushteti i pamerituar...
Kurse për Kujtesën e PS-së, ju thoni: “Në memorandum përfshihen qëndrimet e PS-së që kanë mbështetjen nga partnerë ndërkombëtarë dhe nga populli opozitar, por edhe nga koalicioni ma bazë të gjerë, majtas dhe djathtas”. Për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, s’është nevoja të flasim më tepër, se s’do të na dilnin të gjitha faqet e gazetës. Por tani po na bën përshtypje dyfjalëshi “Populli opozitar”. Po na flisni edhe në emër të popullit, siç flisnin persekutorët e Havzi Nelës, të Vilson Blloshmit, të Genc Lekës e të dhjetëra e dhjetëra intelektualëve të tjerë, poetë dhe mendimtarë, që u ekzekutuan për vjershat e tyre në sirtar, domethënë të pafajshëm. Nuk mund ta përfaqësoni ju shtresën e ish-të përndjekurve politikë, ju që jeni kundër lustracionit. Por nuk jeni në gjendje të përfaqësoni as elitën e PS-së që doli nën emblemën Lëvizja për Mendimin Ndryshe (LMN). Sesa në mënyrë “demokratike” është trajtuar ky zë i guximshëm kundër Ramës, mund të shkruhet një vëllim i tërë për makinacionet me dyer hermetikisht të mbyllura; për heqjet e kamerave ndaj mendimit ndryshe; për rrahje kameramanësh që venë të bëjnë detyrën si reporterë ngjarjesh që mund të regjistrohen për t’i gjykuar publiku, para se të kërcënohen për përjashtim nga partia! Sa për bazën “e gjerë” djathtas, janë ato thërrimet elektorale që shefi juaj i braktisi si aleatë se s’kishte nevojë për votat thuajse inekzistente të S. Ngjelës dhe as të N. Ndokës... Madje personalizuesi i zgjedhjeve tregoi kapadaillëk e përbuzje edhe ndaj një lëvizjeje vërtet të gjerë, me përkushtim ndaj Integrimit, LSI-së, duke bërë thirrje që të mos votohej ky formacion me frymëzim euroatlantik.
Nëse flisni për popull në favorin tuaj, këtë përfundim nuk mund ta nxjerrim nga manifestimet kaotike, të blera me lekë në dorë për “shërbimin”. Më i madhi prej tyre ka qenë ai që e quani me 100.000 veta, kur s’kanë qenë as një e pesta e kësaj shifre. ç’do të thoshit, atëherë, për manifestimin e 8 dhjetorit, me 500.000 veta, të ardhur të gjithë spontanisht, pa joshje, pa pare në dorë?
Ai memorandumi juaj që ka plot absurditete, përmban edhe një fjali që të habit: “PS, së fundi, ka marrë mbështetje nga grup socialist!”. Edhe klouni i Ramiz Alisë, Namik Hoti, po të mos tretej si kripa në ujë e të kishte një grup parlamentar të vetin, a mund të mos merrte mbështetje nga grupi i vet?
Dade na vë në dijeni edhe “mungesën e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit”. Kush nuk e zbatoi ligjin? 20.000 komisionerë socialistë? Komisionet zgjedhore vendore? Komisioni Qendror Zgjedhor? Apo Kolegji zgjedhor? Këtë kishim nevojë ta kishim si Kujtesë për diskutim!
Komisionerët socialistë dalkan tradhtarë! Sikur nuk u zgjodhën kokërr më kokërr nga Edvin Rama! Kodi zgjedhor, akuzohet edhe ai! Sikur nuk kishte firmën e Edvin Ramës! KQZ-ja, gjithashtu. Por ajo votoi 7:0. Kolegji zgjedhor, vihet edhe ai në dyshim. Por edhe gjykatat do të kontestoni, vetëm e vetëm që të bëni një katrahurë, ngërç quajeni po të doni, por jo “krizë”? Ngërçin e krijoi ekipi i Ramës, që të shpëtojë vetveten nga dorëheqja e parevokueshme. Ngërçin e krijoi ekipi që thamë, që të bëjë pazar: e heqim ngërçin, por na jepni prokurorinë! E heqim ngërçin, por na jepni....
Logjika më fillestare kërkon një gjë më të thjeshtë: Hiqeni ngërçin se e shkaktuat vetë!
Për komisionerët e PS-së, të cilët janë vënë të gjithë nën akuzë të papërligjur, do të ishte sikur Dades t’i thuhej se djali i saj është implikuar në grupimin kriminal “Hakmarrje për Drejtësi”! E, sikur ajo të kërkonte provat për këtë akuzë, t’i thuhej: -Na i jep ti provat, që të të akuzojmë ne! (Në të vërtetë akuza nuk është ngritur – dhe nuk mund të ngrihet - kështu. Do të cenohej prezumimi i pafajësisë. Por janë gjetur prova, sipas disa lajmeve që kemi lexuar. Komisionerëve që kërkojnë provat se e tradhtuan PS-në u thuhet: - Të hapim kutitë, që të gjejmë provat!
Po pa i hapur kutitë, cilat janë provat? Se humbëm zgjedhjet?! Se ai neni 28 i statusit i rri Edi Ramës si çekan mbi kokë?
Ja pse “kriza” është ngërç!
Sesa luajal është Rama me sajesën “populli opozitar”, mjafton të citojmë një lajm nga një e përditshme: - “Pasi manipuloi zgjedhjet për kreun e partisë dhe pasi përjashtoi nga garat alternativat e tjera, Edi Rama ka nisur punën për të komanduar të gjitha strukturat drejtuese të tij, duke zëvendësuar krerët aktualë të organizatave, krerët e këshillave zonale, kryetarët e PS-së në rang komune, bashkie dhe qarku, me njerëzit më besnikë të tij, që përkatësisht janë punonjësit e bashkisë së Tiranës, të cilët kanë dhënë prova besnikërie ndaj kryetarit”.
Një lajm tjetër: - “Shumë prej degëve të PS-së në rrethe thuajse nuk ekzistojnë dhe komunikimi me PS-në në qendër është ndërprerë fare... Rama ka ndërprerë komunikimet me të gjithë ata kryetarë partish në rrethe, të cilët nuk kanë mbështetur linjën e tij politike. Ndërkohë që mbahen kontakte më të shpeshta me kryetarët e partive që janë pro tij dhe zbatojnë me përpikmëri urdhrat që ai jep për spastrimin e bazës socialiste nga ata njerëz që kanë shprehur pakënaqësitë ndaj kryetarit të partisë”.
Një lajm i tretë: - “Në Durrës ka pasur mjaft zëra kundër ideve politike politike të kryetarit. Në Shkodër Rama ka hasur pengesë në implementimin e “ideve” të tij demokratike” në bazë. Në Korçë e në Lushnjë kontestimet kanë qenë të mëdha”.
Pra, që Memorandumi apo Kujtesa që Dade paraqet me ngjyra të trëndafilta, që të ishte më i plotë, mund të përmbante edhe këto habere, aspak përkrahëse të Ramës nga njerëzit e tij, pa le nga “populli opozitar”- që tingëllon si një farsë groteske!”.
Duket se zonja Dade nuk do t’ia dijë për këto, kur thotë: “Memorandumi nuk është një skenar, por një angazhim që kriza të zgjidhet”.
Koha do të tregojë se Memorandumi është vetëm një skenar! Siç është një ngërç i sajuar. Siç nuk është dhe nuk ka të bëjë fare me “krizën” institucionale, një shpikje për mbijetesë!