E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hyrja e Shqipërisë në listën e bardhë të ‘Schengenit’, prioriteti kryesor i qeverisë”

Liberalizimi i vizave, Berisha mbledh Komitetin Ndërministror

Qeveria angazhohet maksimalisht për realizimin e objektivave integruese brenda periudhës së premtuar. Duke u ndalur te procesi i liberalizimit të vizave gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për këtë çështje, kryeministri Sali Berisha u shpreh se hyrja e Shqipërisë në “Schengen”, mbetet prioriteti kryesor për qeverinë.
Për këtë, kryeministri konfirmoi angazhimin institucional për finalizimin me sukses të këtij synimi madhor, siç është lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian.
“Procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë dhe takimet intensive që u zhvilluan gjatë javës së kaluar kanë bërë një informim të saktë dhe të përgjegjshëm të gjithë punonjësve të ardhur nga KE për të njohur në vend ecurinë e këtij procesi”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se një ekip i Komisionit Europian ka vizituar vendin dhe ka pasur kontakte me punonjës të administratës dhe të institucioneve.
Kryeministri Berisha u shpreh se është shënuar progres thelbësor nga të gjitha institucionet e vendit, në përmbushjen e detyrimeve, për procesin e liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Duke vlerësuar heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve si problemin më kryesor të axhendës së të gjitha institucioneve të vendit, kryeministri u shpreh se është shënuar një progres thelbësor nga këto institucione në përmbushjen e detyrimeve që u takojnë. Në këtë kontekst kryeministri përgëzoi për punën e bërë, punonjësit dhe drejtuesit e administratës dhe të institucioneve, të cilët e kanë trajtuar çështjen me seriozitetin më të madh.
Kryeministri theksoi se procesi për liberalizmin e vizave u shndërrua në një faktor të rëndësishëm të ndryshimit në kahet pozitive të vendit, të modernizimit të plotë, të kontrollit të integruar të kufijve të vendit, të miratimit të ligjeve të reja shumë të rëndësishme, për luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ligjin për antidiskriminimin, i cili përbën një bazë ligjore për të luftuar diskriminimin e qytetarëve që për shkaqe të ndryshme gjenden në pakicë, kryeministri vlerësoi aspektin konsensual të ligjit, në hartimin e të cilit janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e drejtuesve të komuniteteve fetare.
“Në të gjitha blloqet e urdhër-rrëfyesit japin rezultate të prekshme theksoi Berisha duke shtuar se ky proces u shndërrua edhe në një faktor të rëndësishëm të ndryshimeve në kahe pozitive të vendit”.
Më tej, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për liberalizimin e vizave, Berisha foli edhe për ligjin kundër diskriminimit, duke konsideruar miratimin e tij si shumë të rëndësishëm, ndërsa urdhëroi ngritjen e sekretariatit për zbatimin sa më të shpejtë të këtij ligji.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›