E Diel, 1 Nëntor 2026

Memorandumi për regjistrimin e fëmijëve që jetojnë jashtë Shqipërisë

TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dhe Qendra "Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)", firmosën sot një memorandum mirëkuptimi, që konsiston në nxitjen dhe asistencën për regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë territorit të vendit, të cilët nuk janë regjistruar ende në zyrat shqiptare të gjendjes civile.

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, duke përshëndetur firmosjen e kësaj marëveshjeje, e konsideroi si "një hap tjetër konkret të rëndësishëm përsa i përket shërbimeve, që MPJ ofron nëpërmjet rrjetit të shërbimit të saj konsullor për qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht për ata që i kanë lindur fëmijët e tyre jashtë shtetit dhe kanë probleme me dokumentet e tyre të lindjes".

"Përpjekjet tona për të rritur cilësinë e shërbimeve të qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit vazhdojnë dhe ne po mundohemi t'u ofrojmë atyre shërbime cilësore, dhe t'i përmirësojmë ato çdo ditë", theksoi kryediplomati duke cilësuar edhe bërjen të mundur pak kohë më parë edhe të dhënies së pasaportave biometrike nëpërmjet disa konsullatave tona.

Haxhinasto u shpreh se, "në të ardhmen ne do të vazhdojmë të afrohemi pranë komuniteteve shqiptare ku ka përqëndrim më të madh të tyre, si hapja e konsullatave të reja veçanërisht në Greqi, ku jemi duke shqyrtuar në mënyrë konkrete mundësinë e hapjes së një konsullate të re, si dhe në vende të tjera ku ka përqendrim më të madh të shqiptarëve".

"Ne do të vazhdojmë edhe me detyrimet e tjera që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë si mësimi i gjuhës shqipe, ruajtja e kulturës, e trashëgimisë. Ne kemi blerë një kontigjent librash për ta çuar pranë ambasadave dhe konsullatave tona, në mënyrë që t'u vihet në dispozicion komuniteteve atje për të mësuar gjuhën shqipe", tha ministri i Jashtëm.

Sipas tij, në të ardhmen shërbimet konsullore të misioneve tona diplomatike, të ambasadave dhe të konsullatave do të përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme.

Ndërsa Zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, tha se, "shërbimet tona diplomatike dhe konsullore mund të na shërbejnë duke siguruar dokumente identifikimi të fëmijëve të lindur në emigracion, të cilët janë kthyer sot në Shqipëri dhe nuk kanë mundësi t'i tërheqin".

"Këto janë gjëra teknike, por që e bëjnë të pamundur ose të vështirë regjistrimin e fëmijëve", tha zv/ministrja Zajmi.

Me nënshrkimin e këtij memorandumi MPJ angazhohet nëpërmjet përfaqësive konsullore, që mbulojnë rrethin e juridiksionit në të cilin ka lindur fëmija, të kërkojë pranë autoriteteve përkatëse dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e fëmijëve. Ky regjistrim i fëmijëve do të bëhet pa pagesë pranë zyrave të gjendjes civile.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›