E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reforma e inspektoriateve, të bëhet riorganizimi i tyre

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë mbledhjes së qeverisë se, “reforma e inspektoriateve është reforma më e rëndësishme që ka marrë qeveria gjatë këtyre 20 viteve, pasi ka rëndësi jetike për tregun, lirinë dhe funksionimin e tij”.

Berisha garantoi se kjo reformë është ndër më themeloret, ndaj dhe kërkoi me shpejtësi riorganizimin e të gjitha inspektoriateve që parashikon ligji.

"Sistemi i inspektoriateve përbënte një barrë të rëndë për biznesin shqiptar, i cili në mënyrë jo profesionale i gallabëronte biznesit kohën, jo më pak se 40 e ca ditë në vit, që ishte një faturë e rëndë për biznesin”, tha Kryeministri.

“Pas pothuajse dy viteve punë që kemi bërë në Task Forcën Rregullatore kemi rënë dakord që Shqipëria të ketë 11 nga 36 inspektoriate. Kemi rënë dakord që biznesi të inspektohet për një kohë jo më të gjatë se 12 ditë në vit, përveç rasteve të veçanta”, tha Berisha.

Sipas tij, inspektoriatet duhet të funksionojnë duke lënë gjurmë dhe për këtë duhet të jetë një inspektoriat elektronik. “Kemi kaluar ligjin që vendi do të ketë Inspektoriat Qendror, që s’do të ketë tagër të inspektimeve në terren, do ketë tagër të inspektimit të inspektimeve dhe inspektorëve, do ketë tagrin që në zbatim të ligjit, të marrë të gjitha masat ndaj shkelësve”, theksoi Berisha.

Duke i'u drejtuar ministrave, Kryeministri tha se, “inspektoriati qëndror nuk ka të bëjë me biznesin, me tregun". Ai ka të bëjë me inspektoriatet e tjera që varen nga ju, por në zbatim të ligjit inspektoriati ka zë kryesor në këtë çështje”.

Sipas Kryeministrit ministrat duhet të udhëheqin reformimin e inspektoriateve, të cilat janë reduktuar nga 36 në 11 të tilla.

"Është e rëndësishme që të merreni me inspektoriatet që keni në varësi dhe t’i udhëhiqni. Është përgjegjësia juaj. Të vendosni komunikimin me Inspektoriatin Qendror”, u tha Berisha ministrave.

Sipas Kryeministrit, instalimi i sistemit të ri të inspektoriateve është çështje kryesore e kësaj qeverie për favorizimin e klimës së biznesit. “Biznesi do inspektorë që me veprimtarinë e tyre i krijojnë shanse të barabarta para ligjit. Biznesi s’do arbitraritet. Biznesi do zbatimin me seriozitet dhe rigorozitet të ligjit nga inspektorë të ekzekutimit të ligjit’, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›