E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës, sërish në betejë për pagën

Rreth 700 minatorët e Bulqizës kanë kërkuar pagesë të plotë, edhe për kohën që miniera ka qenë e bllokuar

BULQIZË-Minatorët e Bulqizës kanë kundërshtuar nëpërmjet këshillit të tyre sindikal vendimin e fundit të kompanisë austriake ACR për t’i paguar me gjysmë rroge për periudhën që nuk kanë punuar në minierë. Paraditen e djeshme këshilli sindikal nën drejtimin e Presidentit të Sindikatës së Punonjësve të Industrisë, Taf Koleci, kanë analizuar situatën e fundit në minierë dhe kanë vendosur që shqetësimin e tyre në lidhje me përgjysmimin e pagës t’ia bëjnë të ditur firmës ACR, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Punës. Drejtuesit sindikalistë kanë patur një takim pas mbledhjes me drejtorin e ndërmarrjes, Medat Zogu, dhe i kanë bërë të ditur atij kundërshtimin e minatorëve në lidhje me pagën, pasi puna në minierë nuk është ndërprerë për shkak të minatorëve, por për fajin e kompanisë. “Ne kërkojmë pagë të plotë, pasi ndërprerja e punës ka ardhur për shkak të gabimeve të kompanisë austriake”,-kanë thënë ata. Drejtori i minierës, fillimisht është shprehur se kompania e huaj është treguar bujare më shumë se duhet me minatorët dhe më pastaj është njohur me drejtuesit e rinj të këshillit sindikal, madje ka pranuar edhe kërkesat e tyre. Askush nuk e di kur do t’i rikthehen punës në minierë 700 minatorët e rrethit Bulqizës. As drejtuesit e ACR në Bulqizë nuk e kanë të qartë kur do të nisë prodhimi i kromit. Nga ana tjetër, dje është thirrur në policinë e Bulqizës ish-kreu i këshillit sindikal të minatorëve, Dilaver Përkoxha. Ai pretendon se është thirrur pas një denoncimi që krerët e rinj të sindikatës i kanë bërë për dorëzimin e detyrës, zyrës, vulës dhe dokumentacionit të 700 sindikalistëve. Ndërkaq burime të policisë i thanë MAPO-s se Përkoxha është thirrur për të sqaruar pozitën e tij në disa ngjarje të muajve korrik, gusht e shtator të këtij viti, kohë kur minatorët vazhdonin grevën e urisë.

P.Hasa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›