Shkodër, të përndjekurit kundër uljes së fondit
Kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve, Zenel Drangu, thotë se kjo kategori nuk po trajtohet në bazë të ligjit
Shkodër Vendimi i qeverisë shqiptare për shkurtimin e buxhetit për dëmshpërblimin e ish të- përndjekurve politikë me 200 milionë lekë ka krijuar pakënaqësi te kjo shtresë. Kryetari i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë në Shkodër, Zenel Drangu, thotë se deri më sot janë maksimumi 1 mijë përfitues në Shkodër nga 2846 ish-të përndjekur që duhej të përfitonin realisht. ”Kur u tha se do jenë 8 vjet për të përfituar dëmshpërblimin, na u duk shumë, se nuk do arrijnë t’i marrin njerëzit, por megjithatë shpresuam. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por vetëm zbatim të ligjit, zbatim të përpiktë të rezolutave të KE dhe Parlamentit. Por shkurtimi i fondit do të thotë më pak përfitues” - thotë Drangu. Sipas buxhetit të Ministrisë së Financave, fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve, nga 1.8 miliardë të planifikuara është parashikuar të realizohet deri në fund të vitit në 1.6 miliardë lekë. Zenel Drangu shprehet se ky problem nuk është i vetmi për ish-të përndjekurit politikë, ndërsa shton se fëmijët e kësaj shtrese nuk kanë përfituar as nga vendimi i qeverisë për të mos paguar tarifën e studimeve.”Fëmijët e ish-të persekutuarve trajtohen njëlloj si fëmijët e policëve të vrarë. Këta të fundit kanë merita dhe fëmijët e tyre e gëzojnë një pension, ndërsa fëmijët e ish-të përndjekurve politikë nuk janë lejuar të vazhdojnë shkollat dhe kjo është një diferencë me atë të policëve të vrarë. Është një nënvlerësim që i bëhet shtresës së ish-të persekutuarve që janë ajka e shoqërisë shqiptare. Ish-të persekutuarit nuk janë demokratët që kanë ndërruar kollaren e xhaketën, por janë demokratë që në fillim, që më 1945”,-thotë Drangu. Ai shton se kjo shtresë vijon edhe sot të jetë e persekutuar, ndërsa ata që, sipas tij, xhaketat e vjetra i kanë ndërruar me të reja, vijojnë të jenë në krye të institucioneve kryesore në vend.
Diana Kolaj