Çelet konsullata italiane në Gjirokastër
Një program i veçantë aktivitetesh është zhvilluar dje në Gjirokastër, në kuadër të çeljes së Konsullatës së Italisë. Fillimisht, në prani të ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Saba d’Elia; nënkryetarit të Parlamentit, Vangjel Tavo; konsullit të Përgjithshëm të Italisë në Vlorë, Sergia Strozi; deputetit Ethem Ruka; përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe publike në zonën e Gjirokastrës; është zhvilluar ceremonia zyrtare e çeljes së Konsullatës italiane. Ambasadori Saba d’Elia ka prezantuar konsullin Teodor Bilushi e më pas, pjesëmarrësit në këtë ceremoni kanë vizituar mjediset ku është vendosur Konsullata italiane në Gjirokastër. “Do ta konsideroja historike për marrëdhëniet midis Italisë dhe zonës së Gjirokastrës çeljen e konsullatës në qytetin tuaj”, i është drejtuar të pranishmëve në ceremoni ambasadori Saba d’Elia, i cili shtoi se është i gëzuar që kjo gjë u realizua në përfundim të mandatit të tij në Tiranë. Bledar Shehu