E Diel, 1 Nëntor 2026

Incident në kufi, policia greke qëllon mbi 3 shqiptarë

Nga Aleksander Marku
Tre shqiptarë të cilët kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale drejt Veriut të Greqisë, janë qëlluar me armë nga policia kufitare afër fshatit grek Htisma. Sipas policisë greke shqiptarët ishin trafikantë droge 

JANINE- Sipas burimeve policore nga Janina ngjarja ka ndodhur para dy ditësh në zonen kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë afër fshatit grek Htisma . Kanë qenë tre shtetas shqiptarë që sipas versionit të policisë greke ishin drejtuar drejt kufirit shqiptar dhe duke menduar se kanë përpara tyre trafikantë droge, policët greke të kufirit i kanë rrethuar dhe i kanë urdhëruar t’i kontrollojnë . Por ndërkohë një prej shtetasve shqiptarë ka tentuar të qëllojë me automatik kallashnikov , ndërkohë që policët grekë e kanë carmatosur.

Sipas të njëjtit version të pyetur nga policët grekë tre shqiptarët kanë pranuar ti dërgojnë ata drejt vendit ku kishin fshehur drogën . Por një prej tyre është përpjekur t’i rrëmbejë policit armën dhe pas një përleshjeje polici grek ka qelluar mbi shtetasin shqiptar duke e plagosur rëndë në shpatull.

I plagosuri është dërguar në spitalin e Janinës dhe fatmiresisht, pavaresisht nga gjendja e rëndë shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Polica greke e Janinës ka nisur një hetim për ngjarjen dhe ka arrestuar në fillim policin grek. Si provë materiale është konfiskuar arma e tij në krehërin e së cilës është gjetur vetëm një fishek. Ky fakt vërteton se polici grek ka qëlluar disa herë ndaj shqiptarit.

Por nga hetimet e deritanishme mesohet se asnjë gjurmë gishtash nga klandestinët nuk janë konstatuar në armën e policit grek. Për më tepër plumbi që ka goditur njërin prej klandestinëve në shpatull dëshmon faktin e kundërt se policia greke ka gjuajtur mbi shqiptarët, pra nuk ka pasur perleshje si dhe droga e cila nuk eshte gjetur

Dy shtetasit e tjerë shqiptarë, identiteti i të cilëve ende nuk dihet mbahen ne burg nga policia greke . Ajo që shkakton reagime është fakti se gjykata ka lënë të lirë policin grek, pasi ai ka kërkuar kohë për të mbledhur provat e nevojshme ndaj shqiptarëve të cilët i akuzon për trafik të lëndeve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Vetëm nëse këto akuza hidhen poshtë nga gjykata tre shtetasit shqiptare do të lirohen .

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›