E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxheria e qelqtë, një dramë amerikane në skenën teatrore

Regjisori Adonis Filipi, këtë fundjavë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar me premierën teatrore Menaxheria e qelqtë. Për këtë vepër ka përzgjedhur një kastë aktorësh të njohur të skenës shqiptare. Regjisori Adonis Filipi e ka zgjedhur këtë vepër për të na përcjellë historinë e një familjeje amerikane, ku përmes kujtimeve që sjell ndër mend djali i kësaj familjeje do të ngjitet në skenë historia e një nëne dhe dy fëmijëve të saj tashmë të rritur. Vepra, e cila pritet të vendoset në skenën teatrore fillimisht u shkrua si skenar filmi në Hollivud. Pjesa u vu për herë të parë në skenë në vitin 1944 në Çikago. Por temat që ajo trajtonte bëri që ajo të vlerësohej një vit më vonë me çmimin e rrethit të kritikës në Nju Jork. Ndërkohë që gjashtë vite më vonë ishte regjisori Irving Rapper, i cili mbi subjektin e veprës "Menaxheria e qelqtë" realizon një film televiziv. Nëna, e interpretuar nga aktorja Yllka Mujo, pas largimit të të shoqit, është fokusuar në gjetjen e një bashkëshorti për vajzën e saj. Në këtë moment, Tomi, i cili interpretohet  nga aktori Arben Derhemi, i risjell në vëmendje së motrës ish-shokun e saj të shkollës. Por zhgënjimi i vajzës së familjes, e cila interpretohet nga aktorja Monika Lubonja, ndodh kur ajo merr vesh se ky djalë është i fejuar. Kjo histori amerikane do të vijë për publikun si produksion privat i kompanisë teatrore Art Blu. Regjisori Adonis Filipi kësaj herë ka bërë edhe përzgjedhjen muzikore, ndërsa skenografia dhe kostumografia i janë besuar artistit nga Maqedonia Bllagoi Micevscki. Në një prononcim dhënë për gazetën aktorja dhe producentja Monika Lubonja tregon se: Unë po punoj për këtë projekt, i cili vjen si një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar. Unë jam producente në shfaqjen Menaxheria e qelqtë së bashku me Valbona Imamin, me të cilën po realizojmë shfaqen e Tennessee Williams. Është një dramë, e cila flet shumë dhe është një pjesë teatrore shumë e bukur. Ajo interpretohet në të gjitha teatrot në botë. Unë vendosjen e kësaj vepre në skenë e quaj si një sfidë ndaj vetes dhe me këtë dua të tregoj se ka dhe njerëz që e duan artin.

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 08:52

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›