E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet gjendja civile e Korçës, mungojnë pullat për certifikata

Bashkia jep alarmin për pengesat në punë
Bashkia e Korçës jep alarmin, bllokohet gjendja civile për mungesë pullash. Prej dy ditësh, gjendja civile e bashkisë juglindore nuk funksionon. Shkak i këtij pezullimi të detyruar të punës është bërë mungesa e pullave 50 lekëshe, të cilat e bëjnë certifikatën të pavlefshme. Nisur nga situata e rënduar, por dhe mungesa e zgjidhjes së shpejtë të problemit ka reaguar numri dy i Bashkisë Korçë. Nënkryetari Arjan Bejko, në një prononcim për shtyp ka bërë të ditur se gjendja është alarmante, ndërsa janë me qindra qytetarë të bllokuar, të cilëve nuk ju shërbehet për shkak të kësaj mangësie që vjen nga strukturat e shtetit. Pulla është një taksë e vendosur ndaj qytetarëve dhe që vilet nga shteti nëpërmjet gjendjes civile, ndërsa prej më shumë se 48 orësh në Korçë pulla është kthyer në më të dëshiruarën dhe të kërkuarën prej të gjithëve. Sipas Arjan Bejkos, nënkryetar i Bashkisë Korçë, gjatë ditës në kushte normale punonjëset e gjendjes civile të bashkisë në fjalë shpërndajnë rreth 300 certifikata, ndërkohë që në ditë piku kur ka emigrantë dhe studentë numri i tyre i kalon të 700 copët. Ky shërbim iu është mohuar qytetarëve, ndërsa sipas Bejkos kjo pengon edhe në procesin e aplikimit për karta identiteti. Situata paraqitet mjaft serioze dhe ne i bëjmë thirrje instancave përkatëse të reagojnë. Kështu mund të shmangim problemet dhe radhët e shfaqura, ndërsa procesi i aplikimeve për kartat e identitetit vihet në rrezik të plotë. Në këto kushte qytetarët nuk mund të aplikojnë në rast nuk kanë dokumentin e gjendjes civile, ka theksuar ndër të tjera numri dy i bashkisë, Bejko. Madje gjatë ditës së djeshme, niveli i aplikimeve për kartat e identitetit ka rënë ndjeshëm edhe për shkak se qytetarët nuk kanë patur mundësi të sigurojnë certifikatën përkatëse. Banorët e Korçës janë të shqetësuar për këtë mungesë të gjatë shërbimi, ndërsa ky qytet për më tepër është pjesë e një rajoni kufitar ku dhe lëvizjet janë të shumta dhe nevojat për këtë dokument të rëndësishëm identifikimi janë të mëdha. Ndonëse kërkesat zyrtare të bashkisë ndaj institucioneve që furnizojnë me pulla janë të vazhdueshme nuk ka asnjë reagim, ndërkohë që qytetarët ankohen duke u përplasur në zyrat e gjendjes civile dhe të bashkisë dhe duke mos marrë dokumentin e identifikimit që iu nevojitet. Ky është rasti i parë që gjendja civile pezullon punën e saj për mungesë të pullave 50 lekëshe, pa të cilat dokumenti i identifikimit nuk është i vlefshëm dhe nuk mund të jepet për të interesuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›