E Hënë, 2 Nëntor 2026

Menaxhimi i keq i fondeve publike, dëmi 19 milionë lekë

22/07/2011  Auditi i Financave: Vonesa me dëmshpërblimet e ish-të dënuarve

Menaxhimi i keq i fondeve publike gjatë pjesës së parë të vitit ka sjellë një dëm prej më shumë se 19 milionë lekësh për buxhetin e shtetit. Sado e vogël shifra e zbuluar nga raporti i auditit i përket vetëm tremujorit të dytë, duke dëshmuar një përmirësim të aftësisë zbuluese të auditit të brendshëm. Në këtë raport nënvizohet gjithashtu edhe vonesa në dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë, si dhe mungesa e një metodologjie për hartimin e strategjive të borxhit publik dhe vlerësimin e risqeve, apo një informatizim jo i plotë i procedurave të regjistrimit dhe pagesave të borxhit publik.

Kontrollet

Rastet e auditimeve sipas raportit janë trefishuar në krahasim me periudhën janar-mars, ndërsa kanë përfunduar 15 auditime të plota nga 17 të planifikuara. Tre auditime janë në proces, ndërsa raportohet se 187 rekomandime janë dhënë për përmirësim të punës dhe ndreqje të parregullsive. Kjo shifër është rreth 3.3 herë më shumë krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2011. “Një pjesë e gjetjeve i takojnë parregullsive në menaxhimin e fondeve publike me vlerë 19 608 mijë lekë, e gjitha në 3 mujorin e dytë”, - theksohet në raportit e auditit të Ministrisë së Financave për gjashtëmujorin e parë 2011. Disa nga gjetjet e auditimit kryesisht i referohen efekteve financiare, kostove të palejueshme ose përdorimit më të mirë të fondeve, dobësive të sistemit të Kontrollit të Brendshëm, parregullsive në menaxhimin financiar, ruajtjen e aseteve, raporteve financiare, si dhe nivelit të ulët në arritjen e objektivave.

Parregullsitë

Raporti thekson dobësitë e gjetura referuar komponentëve të kontrollit të brendshëm si, mungesa e rregullores së brendshme për degët e thesarit, gjë e cila ka çuar në dy shkelje të zbuluara për përdorimin e fondit të veçantë. Pjesa më e madhe e gjetjeve sipas raportit nuk kanë rezultuar me kosto të palejueshme apo efekte financiare, por më tepër dobësi të sistemit të operacioneve dhe të drejtimit. “Janë gjetur parregullsi dhe dobësi të theksuara në menaxhimin e Grupit Mbikëqyrës të ish-shoqërive huamarrëse, si dhe performancë e dobët, keqpërdorim i fondeve publike, ngatërrim kompetencash, menaxhim i keq financiar. Gjithashtu janë gjetur dobësi të sistemit të pagesave të ish-të dënuarve politikë, mangësi në zbatimin e rregullave të pranimit të kërkesave, publikimit, rakordimit të pagesave”, - thekson raporti. Ekspertët e auditit theksojnë se evidentimi dhe menaxhimi i rrezikut, pothuajse nga të gjitha subjektet e audituara nuk bëhet rregullisht, pasi nuk ka metodologji për vlerësimin e tij dhe nuk mbahet regjistër risku

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›