E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës; 25 milionë lekë për strehimin

Enti Kombëtar i Banesave i ka akorduar Bashkisë së Kukësit një fond prej 25 milionë lekësh, për të mundësuar zbutjen e problemit të strehimit në këtë bashki.

Hasan Halilaj, kryetar i Bashkisë së Kukësit, tha se fondi do të përdoret për blerjen e banesave "për të pastrehët më në nevojë". Ai shtoi se ky fond është e para ndihmë për strehimin që i jepet Bashkisë së Kukësit në 12 vitet e fundit. Strehimi është një nga problemet më të mprehta sociale në këtë bashki, ku numri i familjeve të pastreha arrin mbi 700, të cilat, për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, e kanë të pamundur ta zgjidhin vetë këtë problem. "Më të ngutshme e kanë nevojën për strehim 40 familje, por me fondin e akorduar mund të zgjidhim problemin vetëm për 20 prej tyre", - tha Halilaj.

Fondi i akorduar do të përdoret për blerjen e banesave që janë ende më të lira, kryesisht në lagjen periferike të Gostilit. Ndërtimi i autostradës ka bërë që çmimi i banesave në qytetin e Kukësit thuajse të dyfishohet brenda dy viteve dhe një banesë 1+1 tani arrin deri në 2 milionë lekë, ndërsa 2+1, deri në 2,5 milionë lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›