E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i sistemit shkollor, vetëm shkollat profesionale me vit të parë



Shkollat profesionale do të kenë vit të parë në vendin tonë, me gjithë ndryshimin e sistemit shkollor nga 8+4 në 9+3. Kjo është bërë e ditur dje nga burime të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Tiranë, të cilat pohuan se një përjashtim i tillë do të kryhet për nevojat e tregut shqiptar për punëtorë të kualifikuar. Ndërkaq, të gjitha shkollat e mesme në vend nuk do të kenë më katër vite, por vetëm tre.

Shkollat profesionale

Në ndryshim nga të gjitha shkollat e mesme të përgjithshme në vend, shkollat profesionale do të kenë një veçori. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur të lejojë këto lloj shkollash që të çelin vitet e para të studimit gjatë këtij viti, në të cilat do të mund të regjistrohen të gjithë nxënësit që kanë përfunduar shkollën tetëvjeçare. Në këtë mënyrë, ky do të jetë një përjashtim në krahasim me profilet e tjera shkollore.

Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, një përjashtim i tillë është kryer pasi gjithnjë e më shumë studentë kanë nevojë për shkollim në vend, në mënyrë që të marrin një profesion, në bazë të nevojave të tregut. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e ka cilësuar si prioritet të vetin rritjen e cilësisë, por edhe përzgjedhjes nga ana e nxënësve të shkollave profesionale.

Mësuesit

Ndërkohë, në shkollat e mesme të përgjithshme nuk do të ketë vit të parë për vitin shkollor 2008-2009. Por, ndryshimi i sistemit arsimor duket se do të sjellë ndryshime edhe në radhët e mësuesve. Kjo, pasi një përqindje e konsiderueshme e mësuesve të gjimnazeve do të kalojnë në shkollat nëntëvjeçare. Ndërkohë që ende është në fuqi udhëzimi që kategorizon mësuesit në bazë të shkollës ku japin mësim, e si pasojë i rendit ata me pagë më të ulët se në shkollat e mesme të vendit.

Në Tiranë mësuesit e gjimnazeve do të japin mësim në klasat e nënta si një sistem tranzitor për në shkollat e mesme, sipas drejtoreshës së arsimit, znj. Arjana Bekteshi. Lidhur me shkurtimin e vendeve të punës së mësuesve, si një çështje mjaft e diskutuar në opinionin publik, Bekteshi siguroi se “asnjë mësues nuk do të mbetet pa punë, të gjithë do të sistemohen brenda sistemit arsimor parauniversitar”.

Sistemi i ri shkollor

Drejtoritë arsimore rajonale të udhëzuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë vendosur që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Si rrjedhojë, për këta nxënës nuk do të ketë më vit të parë shkollor.

Sistemi i ri shkollor parashikon ndryshimin e viteve të shkollës në nivelet e ndryshme parauniversitare. Kështu, nga 4 vite shkollë fillore, katër cikël i ulët dhe 4 shkollë e mesme do të ndryshojë në 5 vite shkollë fillore, 4 vite shkollë e ulët dhe 3 vite shkollë e mesme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›