Mendon për sezonin tjetër

Ronald Gërçaliu i ka dhënë fund periudhës së errët. Mbrojtësi shqiptar është kthyer në fushën e blertë pas tetë muaj mungese, për shkak të një lëndimi të rëndë që e kishte pësuar në gju.
I transferuar te klubi gjerman FC Ingolstadt 04 gjatë verës që shkoi nga klubi austriak SC Wiener Neustadt, 25 vjeçarit ky lëndim ia pamundësoi debutimin në një ndeshje zyrtare të Bundesliga 2.
Mirëpo, ai tash sheh dritë dhe po përgatitet për sfidat e ardhshme që e presin në karrierë. “Së fundmi kam zhvilluar dy ndeshje me ekipin e dytë”, thotë mbrojtësi shqiptar në një intervistë për magazinën austriake Laola1.
Ai ndihet i lumtur që sërish do të zbresë në fushën e gjelbër, e cila i mungoi shumë në kohën kur ishte i lënduar. “Jam mirë. Gjuri po funksionon mjaft mirë, nuk kam dhembje. Normalisht nuk jam në 100 për qind të formës, pas mungesës së gjatë. Kjo është krejt e natyrshme, kur mungon 8 muaj. Jam me të vërtetë i lumtur që mund të luaj sërish futboll”, theksoi ai.
Kampionati në Bundesliga 2 gjermane do të përfundojë në fundjavë. Kjo nënkupton se Gërçaliu nuk do të mund ta shijojë një ndeshje kampionale këtë sezon. Mirëpo, ai po përgatitet që ta presë i gatshëm sezonin që vjen.
“Nuk e di, por nuk luan shumë rol. Mendoj se jam ende larg për të luajtur në kampionat. Për mua është e rëndësishme që të ushtroj dhe ta rikthej ritmin. Ingolstadt tashmë pothuajse e ka përfunduar kampionatin. Ndërsa unë e kam pësuar lëndimin ndoshta më të rëndë që mund ta pësojë një lojtar. Andaj hap pas hapi do të kthehem”, vazhdoi ish futbollisti i Sturm Graz, i Red Bull Salzburg dhe i Austria Wien.
Gërçaliu tregon se kaloi një periudhë mjaft të vështirë dhe të dhimbshme. Ai më pas e kompletoi rehabilitimin disa muajsh dhe tash ndihet mirë. Ai e priste me padurim sfidën e quajtur Ingolstadt, por nuk e përcolli fati.
Ai shton se pas një lëndimi të tillë nevojiten 10-12 muaj. Ai uron që të mos ketë më probleme pas lëndimit të parë serioz në karrierë. Gërçaliu falënderon bashkëshorten e tij, e mbi të gjitha klubin, për mbështetjen gjatë periudhës së vështirë.
“Kjo ishte e rëndësishme për mua, sepse e kam kuptuar se klubi është komplet prapa meje. Ky fakt është i rëndësishëm për të qenë i çliruar në kokë”, thotë ai.
Gërçaliu premton se gjatë verës do të punojë intensivisht për ta rikthyer formën fizike. Ai shpreson që t’i bashkohet ekipit gjatë përgatitjeve para-sezonale për ta arritur nivelin e dikurshëm.
Futbollisti shqiptar e ndien besimin e plotë të klubit dhe nuk frikësohet aspak se mund të largohet gjatë verës. Por, ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të kthehet në futbollin austriak. Ai shpreson që Ingolstadt sezonin e ardhshëm të jetë më i suksesshëm në krahasim me këtë aktual.