Shqiptarët në luftë për kreun
E mërkura mbrëma do të zbardhë shumëçka në futbollin zviceran. Zurich dhe Basel do të luajnë në mes vete në kuadër të xhiros së 33-të të kampionatit zviceran. Pikërisht në këtë ndeshje mund të vendoset kampioni më i ri i Zvicrës, ose më saktësisht skuadra që do ta kryejë shumicën e punës, pasi më pas mbeten edhe 4 xhiro për t’u zhvilluar.
Kjo mund të konsiderohet edhe si një ‘luftë’ shqiptare, pasi që në të dyja skuadrat luajnë futbollistë shqiptarë. Kampioni aktual i Zvicrës, Basel përfaqësohet nga Xherdan Shaqiri, Granit e Taulant Xhaka dhe nga Beg Ferati. Kurse te kryesuesi i AXPO Super League, Zurich, luan Admir Mehmedi e Adrian Nikçi.
Që nga vjeshta e vitit 2006 në 19 ndeshje të zhvilluara, Basel e ka humbur vetëm një ndeshje nga Zurich. Mbrojtësi Beg Ferati mendon se ekipi kaltër e kuq mund ta fitojë këtë ndeshje dhe ta mbrojë titullin e kampionit.
“Kjo do të ndodhë edhe këtë radhe. Ata kanë frikë nga ne, mund të themi kështu. Normalisht, Zurich ka ekip të fortë, por seria e ndeshjeve të fundit flet në të mirë tonën pasi nuk kemi humbur në ndeshjet e fundit me ta”, tha Ferati i cili gjatë verës do të transferohet te klubi gjerman Freiburg.
Optimist për fitoren e Baselit duket edhe Xherdan Shaqiri. Përfaqësuesi zviceran mendon se nëse ekipi i tij e aplikon lojën e vet, mund të triumfojë në derbin e Zvicrës.
“Nëse e aplikojmë lojën tonë, sigurisht do të fitojmë. Kemi një ekip klasi dhe gjithmonë dimë t’i administrojmë situatat e tilla. Dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”, tha mesfushori ofanziv për mediat zvicerane.
Rrezikun më të madh në Zurich paraqet Admir Mehmedi, i cili ka realizuar 8 gola këtë sezon. Sulmuesi shqiptar beson se ekipi i tij do ta fitojë këtë duel. “Do të bëjmë gjithçka që tri pikët t’i ndalim në shtëpi. Ne jemi në krye dhe dëshirojmë të qëndrojmë aty”, tha ai.
Përpos titullit të kampionit, kjo sfidë ka një rëndësi tjetër të veçantë. Kampioni i Zvicrës shkon në Ligën e Kampionëve dhe përfiton miliona euro me pjesëmarrjen në këtë kompeticion. Andaj, ky është një tjetër fakt që vërteton se të mërkurën mbrëma do të zhvillohet një ndeshje se jo mahi.