E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendon të kandidohet

Presidentja Atifete Jahjaga mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ajo ka deklaruar se zgjedhja e saj në krye të shtetit ka krijuar qëndrueshmëri politike në vend. Jahjaga beson se Kosova dhe Serbia do të gjejnë zgjidhje evropiane për problemet e interesit të përbashkët. Nga Express më 21 prill 2011 në ora 08:17

Presidentja Atifete Jahjaga e ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale, të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Mirëpo, Presidentja e re ka thënë se fillimisht do të mundohet t’i përmbushë obligimet kushtetuese dhe të arrijë që ta anëtarësojë Kosovën në disa organizata ndërkombëtare. Nëse i arrin këto synime, Presidentja thotë se do të kandidojë për të kërkuar votën e popullit.

“Qëllimi im është që brenda këtij mandati sa do të jem, të kryej të gjitha detyrat dhe obligimet e mia që mandatohen nga ana e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe njëherësh të mbroj të gjithë interesat dhe ëndrrat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në BE dhe në OKB. Dhe nëse do të jem e suksesshme në këtë mision, që është ndër qëllimet kryesore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndoshta do të ishte një ndër arsyet që do të mendoja të vazhdoja më tutje si një elan shtesë për punën dhe aktivitetet e mia”, ka thënë Presidentja në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Synimi ynë për integrimin euroatlantik do të jetë synimi qendror i zyrës sime”, ka shtuar ajo.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka folur edhe për marrëveshjen politike ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit për tejkalimin e krizës politike.

Ajo ka thënë se marrëveshja, me të cilën u bë edhe zgjedhja e saj në këtë post, ka krijuar qëndrueshmëri politike në vend.

“Besoj se një marrëveshje e tillë ka krijuar një stabilitet në mes të partive politike dhe shteteve mike të Republikës së Kosovës. Zgjedhja ime si President konsensual dhe përfaqësim i unitetit është bërë si një hap shumë i madh, i cili ka zgjidhur një ngërç të madh politik dhe institucional në Republikën e Kosovës dhe në njëfarë mënyrë ka shmangur mundësinë e shkuarjes edhe njëherë në zgjedhje”, ka deklaruar Presidentja.
Duke komentuar bisedimet me Serbinë, ajo ka shprehur bindjen se Kosova dhe Serbia do të gjejnë zgjidhje europiane për problemet e interesit të përbashkët.

“Ky dialog duhet të shihet si një proces normal ndërmjet dy shteteve që kanë kaluar një fazë të konfliktit dhe këto dy shtete kanë pasur të kaluarën dhe duhet të planifikojnë të ardhmen”, ka thënë ajo.

Presidentja ka hedhur poshtë çdo mundësi për ndarjen e veriut të Kosovës.

“Çdo zgjidhje që do të ishte në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, nuk do të ishte e pranueshme. Çështja e veriut është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe çdo aranzhim apo ri-aranzhim tjetër do të ishte i papranueshëm. Çdo aranzhim tjetër dhe çdo iniciativë e tillë do të ishte shumë e rrezikshme dhe do të ishte, ta themi, shumë e vështirë që të menaxhohet dhe kjo do të sillte edhe probleme të tjera, duke filluar më dekada prapa si për çështjet etnike, si për çështjet territoriale të këtij vendi”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Shefja e Shtetit është zotuar se në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare do të ndikojë në shtirjen e autoritetit të Prishtinës edhe në veri të Kosovës.

“Do të jetë një përkushtim i gjerë dhe ne do të koordinohemi dhe harmonizohemi me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, Parlamentin e Kosovës, Zyrën e Kryeministrit dhe do të mundohemi që të shtrijmë autoritetin tonë në tërë territorin e Kosovës sa i përket sundimit të rendit dhe të ligjit, dhe luftës kundër korrupsionit, që janë parakushtet kryesore që të drejtojmë Kosovën drejt rrugëtimit që ne kemi paraparë për vendin tonë dhe për kombin tonë”, është zotuar Jahjaga.

Ajo ka përgjigje edhe për kritikat që i janë bërë për mungesën e paraqitjeve publike.
“Unë mendoj që Presidenti dhe pozita e Presidentit nuk është aty që të prononcohet për çdo gjë”, është përgjigjur Presidentja Jahjaga.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›