Mentaliteti antiopozitar i Berishës, më i rëndë se greva Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Greva e urisë e opozitës shqiptare ka diferencuar thellë shoqërinë shqiptare. Si çdo ngjarje e fortë, që lë gjurmë në historinë e një shoqërie, edhe kjo protestë ek
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Mentaliteti antiopozitar i Berishës, më i rëndë se greva Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Greva e urisë e opozitës shqiptare ka diferencuar thellë shoqërinë shqiptare. Si çdo ngjarje e fortë, që lë gjurmë në historinë e një shoqërie, edhe kjo protestë ekstreme e opozitës ka testuar fort shoqërinë shqiptare dhe orientimin e saj ndaj vlerave të lirisë. Efekti i parë i saj natyrisht që shihet te pala kundërshtare. Produkti i parë politik i grevës ishte zbulimi i mentalitetit enverist të kryeministrit Berisha, i cili si reagim të parë ndaj grevës pati antimitingjet. Antimitingjet janë shfaqur në historinë e Shqipërisë në vitin 1991 pas grevës së urisë së studenteve të Universitetit të Tiranës, kur qindra mijëra njerëz në qytete të ndryshme të Shqipërisë marshonin me bustin e Enver Hoxhës në krahë duke mallkuar studentët grevistë dhe duke i akuzuar ata si të shitur tek armiqtë e Shqipërisë. Me të njëjtën gjuhë dhe sinkron, Berisha pas grevës së urisë së opozitës, mobilizoi falangat e tij duke keqpërdorur shpeshherë dhe cingije të oborrit të PD-së për të rritur turmat me thirrje enveriste kundër opozitës. Përpjekja për të thelluar antimitingjet vazhdoi dhe nga aleati i tij në qeveri Ilir Meta, i cili tentoi të përdorte një grup të rinjsh për protestë para Bashkisë, nga ata që aplikojnë për fonde në Ministrinë e Kulturës. Pasi dështoi, dhe me ta dhe me një grup grash të PD-së, së fundmi hodhi në sulm një grup rrogëtarësh të tij, kryesisht në profesionin e teatrit dhe estradës, shumica e të cilëve në asnjë moment të jetës së tyre nuk kanë mbështetur opozitën dhe zgjedhjet e lira në këtë vend. Shumica e tyre kanë heshtur edhe kur i janë vjedhur votat Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, për të mos thënë që ndonjëri prej tyre njësoj si tani ka qenë luftëtar kundër opozitës në çdo kohë. Pra efekti i parë pozitiv dhe diferencues i kësaj greve urie, është se shfaqi para shqiptarëve, gjithë ndryshkun që fsheh pushteti i kalbur i Sali Berishës, gjithë mediokritetin dhe njerëzit e përdorur të tij, emrat e të cilëve duhen shkruar me gërma të mëdha në gazeta sot, që nesër të jemi të qartë kur t’i ridëgjojmë emrat e tyre të gatshëm për të mbështetur pushtetin e radhës, t’u themi me kurajë, rrini mënjanë se boll jeni përdorur. Së dyti, greva testoi intelektualët e rëndësishëm të Shqipërisë që në tërësi mbështetën grevën ose patën kurajën t’i thonë “Jo” Sali Berishës në përpjekjet e tij për t’u përdorur kundër opozitës. Në një regjim represiv dhe arrogant si ky i yni, edhe të heshtësh duke i rezistuar mospërdorimit nga Sali Berisha është vlerë. Përbaltja e emrit të intelektualëve me disa estradaxhinj, natyrisht që i vë në pozitë të vështirë intelektualët e vërtetë të bëhen pjesë e debatit politik, por heshtja e tyre dhe refuzimi për t’i dhënë oksigjen Sali Berishës, është vlerë në regjime të tilla gjysmë totalitare. Dhe së fundmi, greva testoi dhe ndau qartë median shqiptare dhe gazetarët e saj. Për të gjithë ata që ndjekin zhvillimet nga ekranet e TV, e kuptojnë qartë diferencën mes pronarëve dhe gazetarëve, shikojnë qartë mënyrën e sinqertë se si raportojnë gazetarët dhe selektivitetin editorial të pronarëve, që qeveria i ka vënë nën kontroll. Dhe kjo është një pasqyrë e vlefshme që e kemi sot falë kësaj proteste. Bilanci i dhimbshëm i kësaj proteste nuk janë 14 grevistë në buzë të vdekjes dhe dhjetëra të tjerë në gjendje kritike, por 140 njerëz të keqpërdorur nga qeveria, shumica produkte të artit të realizmit socialist dhe mjekë si dhe ringjallja e mentalitetit enverist antiopozitar në Shqipëri, nga njerëz që s’kanë qenë kurrë në anën e lirisë, në anën e opozitës dhe medias së lirë. Mund të mos jesh dakord me Edi Ramën, mund të mos jesh socialist apo votues i tyre, por demokracia të jep luksin të mos përdoresh kundër njerëzve që protestojnë për lirinë e votës dhe lirinë e fjalës. Vetëm njerëzit që nuk e kanë luksin të jenë të lirë, detyrohen të firmosin sërish, njësoj si dukur ata, që regjimi fatkeq i Sekretarëve te Partisë dhe Sigurimit të Shtetit i përdorte firmat e tyre kundër njerëzve që guxonin të kërkonin liri.