Orhan Pamuk, nobelisiti i parë në Shqipëri
Izaura Ndoj
Fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për 2006, shkrimtari i mirënjohur turk, Orhan Pamuk, do të vizitojë Shqipërinë më 17-18 Maj 2010, me ftesë të botuesit të tij ekskluziv në gjuhën shqipe “Skanderbeg books”. Për herë të parë Orhan Pamuk iu prezantua lexuesit tonë në një kohë me marrjen e çmimit “Nobel” në Letërsi në tetorin e vitit 2006, me botimin e veprës së tij të parë në gjuhën shqipe “Unë jam e kuqja” duke iu dhënë mundësia për ta gjykuar dhe shijuar këtë shkrimtar në një kohë me lexuesit kudo në botë.
Kjo vizitë që do të realizohet nga shtëpia botuese“Skanderbeg books” ka qenë e planifikuar qysh në vitin 2006, me rastin e botimit të veprës së tij të parë në gjuhën shqipe “Unë jam e kuqja”, vit kur ai edhe u shpall fitues i Çmimit Nobel në Letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes në kohë të vizitës së planifikuar. Gjatë kësaj kohe në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e madhe e veprës së tij, si romanet “Unë jam e kuqja”, “Bora”, “Kështjella e bardhë”, “Shtëpia e heshtjes”, “Jeta e re”, si edhe libri me ese “Baulja e babait”. Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet “Muzeu i pafajësisë” dhe “Libri i zi”, vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri Orhan Pamuk do të jetë i pranishëm në promovimin e veprës së tij të re të botuar në shqip “Stambolli” që do t’i paraqitet lexuesit shqiptar këto ditë. Ai do të jetë i pranishëm në dorëzimin e titullit “Doktor Honoris Causa”, që i jepet atij nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, të kulturës e të politikës shqiptare, si edhe do të flasë ekskluzivisht për lexuesin shqiptar nëpërmjet ekranit. Ai ka shprehur dëshirën për një vizitë të veçantë në qytetin e Beratit, i interesuar për thesaret kulturore e muzeale të këtij qyteti të lashtë shqiptar. Orhan Pamuk është një ndër autorët më të dashur për lexuesin shqiptar dhe qysh prej vitit 2006 veprat e tij kanë qenë në krye të listës së titujve më të shitur në libraritë shqiptare. Orhan Pamuk është nobelisti i parë në letërsi që viziton Shqipërinë dhe vizita e tij pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare të këtij viti. Autori i shumë veprave letrare Orhan Pamuk përveç çmimit Nobel, në letërsi ka fituar edhe disa çmime të tjera letrare në vendin e tij. Orhan Pamuk ka shkruar veprat: “Xhevdet Beu dhe të bijtë”, roman 1982,“Shtëpia e heshtjes”, roman, 1983,“Kështjella e bardhë”, 1985,“Libri i zi”, roman, 1990,“Jeta e re”, roman 1994,“Unë jam e kuqja”, roman 1998, “Ngjyrat e tjera”, shkrime të zgjedhura dhe një tregim 1999,“Bora”, roman 2002, Stambolli:Kujtime dhe qyteti”, roman 2003. Pas marrjes së çmimit Nobel, shkrimtari turk Orhan Pamuk ka qenë në qendër të shtypit botëror. Ai është një intelektual që ka integritet dhe, pavarësisht se i është larguar fatalisht politikës, fjala e tij ndikon në politikën globale. Turku Orhan Pamuk ecën sipas filozofisë së tij ku pohon se është fetar dhe feja e tij është arti i romanit.
Romani “Kështjella e bardhë”
“Kështjella e bardhë” është një roman i shkurtër, një dialog i lirë rreth modernizimit dhe ironisë së tij. “Kështjella e bardhë” është një triumf i imagjinatës, libër i një nënteksti të fuqishëm, një rrëfim plot larushi dhe intrigë njerëzore, vazhdim i idesë unikale të Orhan Pamukut mbi ekuilibrin e brishtë të botës mes Lindjes dhe Perëndimit.
Çmime të tjera të Orhan Pamuk
1990-Independent Aëard for Foreign Fiction
1991-Prix de la Découverte Européenne
1995-Prix France Culture
2002- Premio Grizane Cavour
2003-The Impac Dublin Aëard
2005- Der Friredenspreis des Deutschen Buchhandels
2005-Prix Médicis étranger
2006-Prix Méditerranée éetranger
Librat e tij më të rëndësishëm
"Kështjella e bardhë", 1989
"Libri i zi", 1990
"Jeta e re", 1994
"Unë e kuqja", 1998
"Bora", 2002
"Istambull-Kujtime dhe qyteti", 2003
11 Maj 2010