Besim Zekthi, “Shqipja më dha krahë”
Izaura Ndoj
“Shqipja më dha krahë”, është recitali koreografik që i kushtohet artistit të njohur, Besim Zekthi e që vjen nesër për publikun shqiptar, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Një repertor i zgjedhur, me pjesët më të mira të krijimtarisë artistike të mjeshtrit të madh, vijnë për gjithë admiruesit e këngës dhe valles popullore nën interpretimin e solistëve e grupit të valleve, drejtuar nga Rexhep Çeliku. Ndërkohë që, kjo krijimtari e 50 viteve të karrierës artistike të Zekthit vjen nën tingujt e orkestrës së TKOB dhe grupit vokal drejtuar përkatësisht nga Vladimir Hasimi dhe Gramoz Burba. Të veçanta gjatë kësaj mbrëmjeje artistike do të jenë edhe interpretimet e solisteve Sabahet Vishnja dhe Irini Qirjako, e ndërkaq edhe të ftuarit janë krejtësisht të veçantë. Janë konkretisht emra të njohur si Myfarete Laze, Arif Vladi dhe Fatmira Breçani.
Shqipja me flatra të arta
Shkathtësia, mprehtësia, impulset dhe dinamika e këtij valltari kanë mahnitur mijëra e mijëra spektatorë. Vallet e interpretuara prej tij janë plot virtuozizëm dhe shumë mjeshtëri profesionale. Ky artist i njohur ka ardhur duke u rritur nga vallja ne valle, nga premiera në premierë. Kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimike shumë të pasur dhe ekspresive, interpreton dhe kërcen me gjithë shpirt. Tek loja e tij shikohen fare qartë përsosmëritë teknike, eleganca e trupit, shkathtësia artistike, saktësia profesionale me të cilat si një të tërë ja komunikon e përçon më shumë art spektatorit. Në ekzekutimet e valleve ai dukej si shqiponjë e madhe, impozante e skalitur mes shqiponjave të tjera përreth. Nuk ka skenë të Shqipërisë, nuk ka qytet apo fshat ku këmbët e zhdërvjellëta të këtij artisti të mos kenë kërcyer. Çdo herë vallet i ka pasuruar me lëvizje të reja , me nuanca të reja, me figura të reja. Këto i ka zbuluar në folklorin e pafund të territorit shqiptar i ka mësuar, i ka përpunuar , pasuruar dhe shumë të freskëta i ka debutuar në skenë me art. Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të kësaj trupe. Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vena nga ai me sukses. Edhe jashtë kufijve të atdheut ky artist ka debutuar disa herë me shumë sukses. Ka shkëlqyer në mjaft shtete të Ballkanit, Evropës, Azisë dhe Afrikës, duke e cilësuar si një shqipe me kthetra, shqipe me flatra të arta. Repertori i tij në Ansambël (1957-1990) përfshin 200 valle të interpretuara, ku ka qenë si solist kryesor, duke realizuar me qindra figura artistike të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptarë. Për talentin punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe te ndryshme, deri tek ai i fundit që mban sot, Mjeshtër i Madh. Ndër vallet më të spikatura të tij rendisim, “Vallja e Shqipeve”; “Festë të Madhe ka sot Shqipëria” që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në Festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970 e plot të tjera me motive çame, mirditore, tiranase, dibrane, etj. Figura të tilla, të cilat janë krenaria e kulturës tonë kombëtare tashmë janë fenomene, risi, shkollë, për të gjithë ata që krijojnë interpretojnë dhe studiojnë lashtësi në vlerat dhe rëndësinë që ka sot identifikimi kulturor në vorbullën e madhe të globalizmit jetësor të marrëdhënieve që ndërtohen sot në botë.
11 Maj 2010