E Diel, 1 Nëntor 2026

Mentor Nazarko: Qëndrimi ndaj Shqipërisë, ndërkombëtarët jo të ndarë

Autori i Lajmit: S. Topi

Mentor Nazarko, analist

“Zgjidhni krizën para ardhjes sime”. Si e komentoni këtë deklaratë të zotit Fule? Është ky një paralajmërim për masa konkrete më pas?
Afërmendsh që Shqipëria ka hyrë në një fazë delikate të procesit të integrimit që është i lidhur me liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian kërkon një shenjë pozitive prej Shqipërisë. Nuk mund të quhet vend normal një vend që nuk ka kapacitete të brendshme për të zgjidhur krizat që i prodhon po vetë. Pra zoti Fule thotë se, nëse nuk ka shenja të tilla, vizita e tij do të jetë e mbushur me kritika.

A ka një duel mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të fituar mbështetjen e ndërkombëtarëve?
Sigurisht që ka, një proces lobimi, i cili harxhon shumë energji që mund të përdoreshin për qëllime të tjera. Është një lojë banale nga këndvështrimi i interesit kombëtar, megjithëse palët politike mund të kënaqen kur arrijnë të përftojnë deklarime pro vetes nga njeri apo tjetri parlamentar evropian.

Kriza politike në Shqipëri a mund të sjellë ndarjen e qëndrimit të ndërkombëtarëve apo do të ketë një unifikim përfundimtar të qëndrimit të tyre?
E di që ekziston një iluzion banal, sipas të cilit vetëm amerikanët janë kritikë ndaj Berishës, duke arritur shkallën më të lartë të saj me deklarimin për ligjin e SHISH-it, por ky është vetëm iluzion që u shitet mbështetësve. Nuk ka ndarje të perëndimorëve në lidhje me qëndrimin për Shqipërinë. Nuk ia vlen aq shumë në lojë Shqipëria që të zihen Evropa me SHBA-në. Ky lloj qëndrimi që kultivohet kryesisht prej kreut të PD-së, është reminishencë e kohës së Partisë së Punës, kur luhej me jugosllavët, me rusët, me kinezët. Me këtë lloj iluzioni, madje, mund të jetë luajtur në mandatin e parë të qeverisë demokrate. SHBA dhe evropianët mund të ndahen në mjete, por jo në qëllime, përballë Shqipërisë.

Të dielën mbërrin në Tiranë një tjetër delegacion i PE-së për vizat. Do ta marrë Shqipëria notën pozitive për plotësimin e kushteve?
Unë besoj se, nëse kriza politike do të zgjidhet, ne mund ta marrim liberalizimin e vizave. Por jo për plotësimin e kushteve, por për shkak se jemi të fundit dhe ky liberalizim smund të shtyhet më. Qeveria duhet ta shtrojë dhe një herë të fundit pyetjen: a ia vlen vallë ta shtyjmë këtë proces për hir të ca listave të votuesve? Me sytë tanë, nuk ia vlen, por qeveria që e di më mirë se çmund të zbulohet nëpërmjet tyre, ndoshta mendon ndryshe. Duke na vonuar integrimin.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›