E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mënyra e ushqyerjes, risk për kancerin e stomakut

Mënyra e ushqyerjes, abuzimi me alkoolin dhe duhanin, trashëgimia, janë disa nga shkaktarët e shfaqjes së tumorit të stomakut. 

AIDA MALAJ

 Meshkujt janë kontingjenti më i riskuar për t’u prekur nga kjo patologji. Në një intervistë për “Panorama” mjekja gastro-hepatologe, Edlira  Elezaj (Ibra), shpjegon se cilat janë sinjalet e alarmit dhe çfarë mund të bëhet nëse shfaqet:
Doktoreshë, është e vërtetë që mënyra e ushqyerjes është një nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kancerit në stomak?
Po. Studime të ndryshme në botë kanë treguar se kanceri i stomakut ka qenë në nivele të larta në ato zona, ku popullsia ka një regjim ushqimor të pasur me karbohidrate, të kripura, të konservuara dhe të varfra me fibra dhe perime të freskëta. Pra është arritur përfundimi se faktorët dietikë, mënyra e ushqyerjes janë mjaft të rëndësishëm për shfaqjen dhe zhvillimin e kancerit të stomakut.
Sa e përhapur është kjo patologji?
Ky është një nga tumoret më të shpeshta që prek aparatin tretës. Burrat preken më shpesh se gratë me një raport 3.5:1. Kjo ndoshta lidhet me faktin se burrat abuzojnë më tepër me duhanin dhe alkoolin, që konsiderohen ndër shkaqet kryesorë të shfaqjes së tumorit të stomakut. Përsa i përket moshave, tashmë nuk ka më kufij të prerë moshor. Kohët e fundit vihet re dhe në moshat e reja, gjithsesi është parë se niveli i riskut është më i lartë te personat e grupmoshës 45-55 vjeç.
A është i trashëgueshëm ky lloj tumori?
Po. Dihet që predispozicioni familjar, pra faktori gjenetik është një nga faktorët që çojnë në shfaqjen e këtij tumori. Është vënë re se rreziku i shfaqjes së këtij tumori është më i lartë te familjarët e të sëmurëve me tumor, sesa te personat e tjerë që nuk kanë histori familjare të tillë. Gjithsesi duhet të ekzistojë një terren i duhur, që të shfaqet.
Cilat janë shenjat që duhet të na alarmojnë?
Në stadet e hershme shenjat klinike janë të zbehta aq sa i sëmuri mund të mos paraqitet tek mjeku. Në stadet më të avancuara të kancerit të stomakut, të sëmurët paraqesin: rënie në peshë ndonëse i sëmuri ushqehet rregullisht, madje në stade më të rënda paraqesin një farë neverie ndaj ushqimeve, sidomos ndaj mishit. Kjo gjë bëhet shkak për rënie më të shprehur në peshë.
Shenjë tjetër është dhembja e stomakut: në fazën e hershme dhimbja ngjan me atë të ulçerës dhe në stadet më të avancuara, bëhet e rëndë, e vazhdueshme, e padurueshme. Dhimbja e shkaktuar nga kanceri i stomakut nuk shfaq periudha qetësimi si në rastin e dhimbjes ulçeroze, ajo nuk qetësohet nga medikamentet antiulçeroze (ranitidina, amepazoli, ose qetësohet fare pak). Shenja të tjera janë në varësi të lokalizimit të kancerit në stomak dhe mund të jenë hemorragjitë nga goja ose nëpërmjet defekimit.

Shkaqet

• Mënyra e ushqyerjes

• Abuzimi me alkoolin

• Abuzimi me duhanin

• Trashëgimia

• Disa gjendje të
ashtuquajtura prekanceroze

• Gjendjet pas heqjes kirurgjikale të një pjese të stomakut

Këshilla

Si mund të parandalohet
-rekomandohet një regjim ushqimor me sa më pak ushqime proteinike të ndenjura
-kufizoni ushqimet e konservuara
-kufizoni ushqimet e kripura
-shtoni ushqimet e pasura me fibra dhe vitamina
-shtoni zarzavate dhe frutat e freskëta
-kufizoni konsumimin e mishit të kuq, sallamit, salsiçeve
-eliminoni alkoolin
-eliminoni duhanin
-konsulta me mjekun specialist për çdo shqetësim që mund t’ju shfaqet me stomakun

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›