Mënyrat për të çarë një kokë
Edison Ypi është një opinionist që shkruan në gazetën shqiptare “Koha Jonë”, një e përditshme që është afër kryeministrit, Sali Berisha, dhe qeverisë. Ndërsa Mero Baze është drejtor i së përditshmes “TemA” dhe nga e hëna në të enjte drejton një emision politik, “Faktori Plus”, në stacionin satelitor “Vizion Plus”. Baze ka qëndrime shumë kritike në raport me qeverinë dhe gazeta që drejton disa herë ka kryer hetime, me anë të të cilave ka sulmuar Berishën e kompani duke i akuzuar për korrupsion dhe abuzime me fondet publike.
“Mero Baze”
Të martën e kaluar, në gazetën “Koha Jonë” u publikua një shkrim nën emrin e Edison Ypit, që shkaktoi indinjatën e shoqatave të gazetarëve, alarmi i të cilave mbërriti edhe në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju-Jork. Artikulli, i titulluar “Mero Baze”, nuk mjaftohet të sulmojë hapur gazetarin, por sugjeron dhe mënyrën për të zgjidhur problemin.
“Ka shumë mënyra për të çarë një kafkë, duke e përplasur në mënyrë të përsëritur për muri, ta zgërlaqësh me një çekiç, ta hedhësh në erë ose ta hapësh për të parë se çfarë ka brenda”.
Një thirrje e hapur publike për eliminimin fizik të gazetarit, sipas anëtarëve të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Edison Kurani, i kontaktuar nga “PeaceReporter”, ka saktësuar se artikulli reflekton vetëm opinionin e Edison Ypit dhe jo atë të gazetës. “Në fund të shkrimit redaksia e pa të nevojshme të shtojë disa radhë, që ajo çfarë ka shkruar Ypi përfaqëson vetëm këndvështrimin e tij dhe jo atë të gazetës që unë drejtoj. Si në të gjitha gazetat shqiptare, çdo opinionist është i lirë të shkruajë atë që do, dhe askush nuk ka fuqinë të censurojë asgjë”
Mero Baze muajt e fundit ka qenë në shënjestrën e një fushate, që kishte për qëllim t’i mbyllte gojën: më 16 dhjetor të vitit të kaluar Ministra e Ekonomisë anuloi pa asnjë paralajmërim kontratën e qirasë me gazetën “TemA”. Megjithëse një vendim i gjykatës së Tiranës kishte urdhëruar pezullimin e vendimit për largimin e redaksisë nga ambientet e saj, më 18 janar policia vazhdoi me përzënien. Pa llogaritur që natën e Vitit të Ri makina e Bazes mori flakë: sipas policisë shkaku ishte një qark i shkurtër. Ndërkohë që Baze ngre zërin për një komplot, Ministria e Ekonomisë bëri me dije që pas anulimit të kontratës nuk fshihet asnjë motiv politik, “por vetëm një nevojë e papritur publike”: ambientet janë të destinuara për një tjetër përdorim”.
Edhe pse shoqatat e gazetarëve i kanë bërë apel qeverisë që të prononcohet për përmbajtjen e artikullit, asnjë shenjë në këtë drejtim nuk është dhënë.