E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Filumena” e jonë, merr jetë nga Yllka Mujo

Nga Dhurata Hamzai

“Filumena Marturano” megjithëse është shkruar në vitin 1944 vazhdon të vihet me sukses të jashtëzakonshëm në shumë skena evropiane, por edhe ato botërore. E konsideruar një dramë e vështirë psikologjike me tre akte, një tjetër premierë e saj, e shqipëruar, ka shënuar suksesin e shumëpritur gjatë kësaj jave duke u ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar. Për fundjavë, të shtunën e të dielën biletat patën “boom” shitjesh, ndërkohë që salla e Teatrit Kombëtar ditën e shtunë ka qenë e mbushur me spektatorë. Nga biletaria njoftojnë se edhe për sot, të dielën, janë shitur pothuajse të gjitha biletat.

Është hera e dytë, që regjizori i njohur Albert Minga, tërheq pambarim publikun në Teatrin Kombëtar, i cili një vit më parë shënoi një tjetër sukses me dramën “Pamje nga Ura”, e cila në 41 shfaqje tërhoqi rreth 21 000 spektatorë. Tashmë ngjitja me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, në Tiranë, e dramës premierë “Filumena Marturano”, një nga veprat më të arrira të dramaturgut italian Eduardo de Filippo, po sjell domosdoshmërinë e riciklimit të premierës për arsye se shumë spektatorë të tjerë kanë shprehur dëshirën ta shikojnë. Premiera e përcaktoi suksesin e saj nga duartrokitjet e publikut, por edhe nga spektakolariteti i aktorëve në skenë. Me idetë e tij këmbëgulëse, regjizori Albert Minga ka zgjedhur për rolet kryesore aktorët Yllka Mujo, e cila gjithmnonë është e suksesshme në skenë, ka zgjedhur Bujar Asqeriun, i cili në vitet e fundit po krijon mjaft profile personazhesh dramatike që të mbesin në kujtesë. Krahas tyre, regjisë së zgjedhur dhe të punuar nga Albert Minga i janë bashkuar në interpretim emrat më në zë të teatrit si Tinka Kurti, Fadil Kujovska, Arben Derhemi, Neritan Liçaj, etj. Regjizori Minga ka përfshirë në role edhe disa aktorë që janë zbuluiar si talente të rinj si Gjergji Menën e Nigela Rukën. Netëve të premierës, këtë fund shkurti, krahas së mirënjohurës Yllka Mujo, një aktore që u jep jetë e karakter special personazheve, kryesorë ose episodik qofshin ato, suksesit të dramës së Eduarto de Filipos i jep një tjetër gjallëri edhe aktorja Tinka Kurti. “Albert Minga, regjisori i dhjetëra filmave dhe pjesëve teatrale ka këtë herë meritën për përzgjedhjen e materialit si dhe për marrëdhëniet që ka krijuar me aktorët gjatë ngjitjes në skenë të kësaj premiere”, thotë drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami.

Ngjitja e një drame të tillë në skenë është bërë nga pasioni dhe dashuria për punën dhe akrimin, ku aktorëve u është dashur të jenë intrepretues të detajeve tepër specifike, duke përcjellë sa më shumë mesazhe nëpërmjet pantonimës, gjestikulacioneve dhe sentimentit aktoreskt jo statik përballë publikut. Shfaqja e tyre e ka bërë publikun disa herë të vëj buzën në gaz, dhe kanë pasuar duatrokitjet kohë pas kohe me një interes e kërshëri të ngjallur deri në fund të shfaqjes. Tashmë publiku del i kënaqur prej lojës së këtyre aktorëve dhe komentet e shumta admiruese kanë ngjallur emocione, interes dhe diskutime pasionante. Gjatë shfaqjes është krijuar një dialog i natyrshëm mes skenë dhe sallës deri në përjetimin e ankthit. Gjithçka që ka ndodhur serviret natyrshëm dhe në qerthull intim e familjar. Zgjidhjes së mirë figurative të spektaklit i ka ardhur në harmoni puna e mrekullueshme e aktorëve.

Një dashuri e re për premiera të reja, moderne, nxitur nga regjizori Albert Minga duket se ka rigjallëruar notat e aktrimit, duke freskuar diçka më shumë se tradita dhe përcjellë veçanti tiparesh e karakteresh nga aktorët më të njohur, që në këtë rast dukeshin po aq edhe “të panjohur” për veçantinë e spektaklit me personazhin që përfaqësonin.

Mujo dhe Asqeriu, volën freskinë dhe talentin surprizues nga “Filumena Marturano”

Drama e personazheve, karakteret ishin të gjithë të prekshëm në këtë lojë skenike, sidomos për ne shqiptarët. Filumena mund të gjesh në Shqipëri plot. “Filumena Marturano” është një kryevepër e dramaturgut Eduardo de Filippo, dhe bën pjesë në fondin e artë të dramaturgjise evropiane, madje dhe më tej. Për specialistët e teatrit, personazhet e Filumena Marturanos, të lujtur me sukses nga Yllka Mujo dhe Domeniko Sorianos, luajtur nga Bujar Asqeriu, volën freskinë dhe talentin surprizues, që u shfaq si risi këtë herë tek aktorët. Kjo ishte një sprovë e madhe derisa ata të shfaqin gjithë aftësitë e tyre artistike, dhe këto aftësi u shfaqën më së miri jo vetëm tek strumbullari i fabulës Yllka Mujo, por edhe tek Bujar Asqeriu, tek Tinka Kurti, që jo rrallë herë bënte efektin magjik të kurdisjes së një mekanizmi skenik, tek Arben Derhemi, tek aktorja e re Nigela Ruka, etj. Këtë herë për Yllka Mujon lulëzoi edhe njëherë fuqia natyrale aktoriale, e cila e bën atë të ekzekutojë një personazh që është tepër larg natyrës së saj të vërtetë, e madje një personazh të një viti më vonë që është krejt ndryshe nga një personazh i një viti më parë. Ajo shquhet për një lojë të fortë aktoreske, energjike dhe për zhdërvjelltësi unikale në skenë. Bujar Asqeriu interpreton personazhin e brishtë, me aq finesë, të cilin e personifikon më së miri, me portretizimin perfekt psikologjik. Aftësia e tij për të depërtuar në psikologjinë e personazhit dhe për t’u ribërë në skenë, tashmë ka krijuar në teatrin shqiptar një profil të ri aktori të gatshme për role të tjera më interesante. Nuk diskutohet kënaqësia e publikut duke pëlqyer rolet kryesore, të luajtura nga aktorët Yllka Mujo dhe Bujar Asqeriu, ndërkohë që sipas kritikës dhe publikut është shfaqur e jashtëzakonshme Tinka Kurti, e cila arriti t’i jap freski spektatklit duke qenë në unitet të lëvizjeve, bashkuar skenografisë së konceptuar nga Agim Zajmi. Ky ansambël aktorësh ka bërë të mundur që të zbërthehet vepra me thellësinë e saj dhe heroina Filumenë të duket si një Filumenë e jona, shqiptare. Bujar Asqeriu interpreton përballë Filumenës atë person që ushtron ndaj saj dhunë psikologjike për të devijuar dhe ndërtuar gjëra të tjera. Ai shfaqet mes një raporti interesant midis moralit dhe instinktit. Personazhi i tij Domeniko Soriano gjatë gjithë shfaqjes ka pësuar tranformim nga Filomena. Zbulohet në skenë një personazh që është shumë i vështirë për të bërë lojën, dhe për të realizuar në ekuilibër disa nga veprimet dramatike.

“Ndryshe nga shumë drama të tjera, këtu realizmi përkatës është metafora e kësaj letërsie dhe e dramaturgjise së Eduardo de Filippos”, thotë regjizori Minga. Neritan Liçaj me rolin e Migelios djalit madh të Filumena Marturanos, duhej të dilte në skenë si një nga tre djemtë e saj, vetëm ky i martuar. Roli duhej të bëhej sa më shumë i ndjerë dhe Liçaj qe vërtetë një tjetër surprizë aktrimi për publikun.

Tashmë që drama ka njohur suksesin, regjizori mbetet i kënaqur edhe nga puna me aktorët e rinj. “Pjesëmarrja e aktorëve të rinj është me interes për spektaklin, sepse përveç anës së jashtme, ata pasurojnë dhe fondin aktorial me lëvizje të reja, me gjetje e zbulime të reja”, thotë regjizori. Ai nuk ka vonuar ta bëjë këtë, duke afruar aktorë të rinj për shfaqjen, të cilët kanë debutuar për të parën herë me trupën e teatrit, por në mënyrë profesionale. Aktorja e re, Nigela Ruka, me rolin e Luçias përcolli emocione në skenë. Luçia është një vajzë e re dhe për Nigela rukën ky ishte një rol pikant. Ajo e bëri shumë bindës këtë rol duke gjetur detajet e duhura, pa butafori. Nigela Ruka ngjitet më e sigurtë këtë herë në skenë pasi ajo ka provuar dhe eksperienca si asistente regjisore në filmin “Lutje dashurie”, pasi ka luajtur e kënduar me suskes në filmin “Trojanët”, pasi ka interpretuar në disa role si tek “Lisis strata”, etj. Ajo sot provon të gjitha rrymat e teatrit dhe tashmë me rolin e saj të dytë me Teatrin Kombëtar, premton shumë për të ardhmen.

Regjisori Albert Minga, ka pohuar se “Filumena Marturano” është një nga ato pesonazhe, e cila është ëndrra për çdo aktor sepse potenciali i vet dramaturgjik që përcjell u krijon aktorëve mundësi që të zbulojnë energjinë e tyre aktoriale. Historinë e personazhit të dramës e shohim dhe e dëgjojmë çdo ditë dhe në realitetin shqiptar.

“Filumena Marturano”, një vit i mbarë shfaqjesh për Teatrin Kombëtar

Pra, sa e autorit De Filippo, aq edhe e regjizorit shqiptar Minga, “Filumena Marturano”, do të nis një një vit të mbarë shfaqjesh për Teatrin Kombëtar. Ngjarja në dramë vendoset rreth një gruaje ish-prostitutë, e cila prej njëzet e pesë vjetësh jeton në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez. Ajo ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e “detyron” atë të martohet me të zyrtarisht, duke e gënjyer sikur ishte në prag të vdekjes! Vepra e realizuar me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, ka sjellë për publikun një shfaqje, e cila i ngjet edhe realitetit shqiptar, që përcakton me detaje mbijetesën e grave në një shoqëri të vrazhdë dhe sfiduese. Ky përjetim emocional ndodh edhe gjatë lojës së aktorëve, e sidomos Yllka Mujos, derisa bëhet një shkrirje e natyrshme midis skenës dhe teatrit, loja ngjizet e besueshme, e përjetueshme. “Filumena Marturano”, ose “Filumena jonë” konceptohet nga regjizori në mënyrë të tillë ku çdo gjë nis të përcillet nga një histori njerëzore. Edhe aktorja Yllka Mujo ia mbrrin që “Filumena Marturano” të jetë një triumf i dashurisë, një sfidë tipike e një gruaje të pamposhtur, pas asaj historie madhështore njerëzore dhe sfilitëse, një tjetër pak më e fortë, një shqiptare. Regjisori Minga na tregon se vepra përshtatet me aktualitetin, pavarësisht nga koha e shkrimit të saj. Pra duket se histori të ngjashme krijojnë trysni psikologjike të ngjashme mbi personazhet të vendeve të ndryshme. “Fakti që ne tentojmë të vëmë këto vepra në skenë dëshmon që në këto vepra tek artistët e mëdhenj që i thyejnë dimensionet kohore të gjejmë pika kontakti me të cilat mund të bashkëbisedosh. Me Filumenën besoj se ka ndodhur ashtu si me shumë vepra të tjera të arrira, që ndonëse janë shkruar në një hapësirë kohe të largët nga një realitet që ne jetojmë sot, ato pëcjellin mesazhe aktuale”, thotë regjizori. Sigurisht loja e aktorëve në skenë mundësoi të kujtonte përmes personazhit të luajtur nga Yllka Mujo histori drithëruese, të cilat takohen sot në realitetin e ashpër shqiptar! Realiteti i sotëm shqiptar, fatkeqësisht, është i mbushur me histori Filumenash, të cilat mbajnë të ndrydhura thellë në shpirtin e tyre drama edhe më të mëdha se Filumena e luajtur nga Yllka Mujo. Aktorja do të dinte ta përcillte edhe këtë përmbajtje duke i dhënë më shumë hapësirë skenave të lojës që demaskon pikërisht realitetin poshtërues ndaj femrës dhe sensibilizon shoqërinë për të qenë më e ndjeshme me rastet e ngjashme. Mujo e ka realizuar Filumenën të tillë që ajo të përfaqëson femrën që guxon, vuan, trishtohet, rrëzohet, por nuk humbet dashurinë njerëzore. Edhe pse ka vuajtur shumë në jetë, edhe pse më shumë ka falur dashuri se sa ka marrë prej saj. Filumena është një femër e cila mbron dashurinë e saj, jetën e saj dhe të fëmijëve të saj, dhe në mënyrë indirekte mbron personalitetin e femrës dhe personazhi i Filomenës, këtë herë duke folur shqip i jep shumë dimension dhe dinjitet femrës. Drama e personazheve, karakteret janë të gjithë të prekshëm dhe për ne shqiptarët dhe Filomena mund të gjesh në Shqipëri plot.

Filumena Marturano do të ketë një jetë të gjatë në skenat teatrore. Aktorët janë dashuruar me rolet dhe për këtë falenderojnë regjizorin Albert Minga.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›