Kontributi i ndërtimit në ekonominë kombëtare ka rënë nga 11% në 8,5%
Sektori i ndërtimit në vend vijon të rëndohet gjithnjë e më shumë dhe tashmë mbi të po peshon edhe sektori i materialeve të ndërtimit, i cili ka rritur kostot dhe ka ulur prodhimet në vend. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave thanë se kostoja në ndërtim ka pësuar një rritje të lehtë dhe kjo kryesisht për shkak të çmimeve të rritura të materialeve të ndërtimit. Prodhimi vendas i materialeve të ndërtimit ka rënë me mbi 10%, ndërkohë që prodhimi vendas mbulon mbi 50% të nevojave të sektorit të ndërtimit në vend. Veç kësaj në çmimet e materialeve të ndërtimit ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të materialeve të importit për shkak të zhvlerësimit të lekut vendas. Kjo gjë ka bërë që kostot në ndërtim të jenë më të larta, megjithëse rritja e kostos është në nivele ende të moderuara. Industria e ndërtimit në Shqipëri vuan rënien e thellë të shitjeve dhe kjo do të vijë duke u ashpërsuar për shkak të rënies në përgjithësi të fuqisë blerëse, çka do të thotë rënie e kërkesës. Oferta në treg mbetet e lartë dhe megjithatë çmimet nuk kanë ndryshuar. Përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve thanë dje se ata nuk do t’i ulin çmimet, pasi ato janë përcaktuar nisur nga kostot. Vetëm në rast të nevojave për likuiditet kompanitë e ndërtimit do të shesin me çmim të ulur, por kjo do të jetë thjesht e përkohshme, bënë me dije përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve. Industria e ndërtimit në vend ka pësuar një rënie gjatë vitit që shkoi me rreth 20%, në rast do të shikohen sipërfaqet e ndërtuara, por në volum industria e ndërtimit ka pasur rritje, në rast se këtu do të përfshihen punimet në rrugën Durrës-Kukës. Kontributi në ekonominë kombëtare i ndërtimit ka rënë nga 11% që ishte në vitin 2007 në rreth 8,5% në vitin 2008 dhe kjo dëshmon rënien reale të sektorit të ndërtimit. Treguesi i tendencës ekonomike në ndërtim ka pësuar rënie gjatë tremujorit të fundit që kaloi me rreth 4%, megjithatë ky tregues në këtë sektor mbetet më solid sesa në disa sektorë të tjerë, siç është për shembull i industrisë së prodhimeve me mall të porositur. Të dhëna të Ministrisë së Financave duan t’i përgënjeshtrojnë këto të dhëna dhe shprehen se numri i lejeve të ndërtimit për vitin e kaluar ka qenë shumë më i lartë sesa i vitit 2007. Në të vërtetë, kjo shifër nuk mund të tregojë rritje të sektorit, pasi shitjet kanë qenë më të ulëta dhe sipërfaqet e ndërtuara po ashtu nuk kanë qenë më të larta sesa në vitin 2007.