Basha: Do aplikojmë brenda presidencës çeke
Peshkopia ishte zona verilindore e vendit që zgjodhi ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, sot, për të shpallur afatin përfundimtar për kandidim në BE.
Basha deklaroi në takimin për 18-vjetorin e krijimit të degës së Partisë Demokratike, Dibër, se është përcaktuar afat konkret për aplikimin.
“Ne do të aplikojmë kandidimin tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin e Evropian, brenda mandatit aktual të qeverisjes së djathtë”, - theksoi Basha.
“Qeveria shqiptare ndërkohë është duke ecur e sigurt në procesin e heqjeve së vizave për shqiptarët dhe do ta kurorëzojë atë me sukses”, - vijoi Basha.
Në takimin me anëtarësinë e PD në Dibër dhe simpatizantë të kësaj force politike, shefi i diplomacisë shqiptare u ndal gjatë dhe në punën që ka bërë kjo qeveri në afro katër vjet.
“Në sajë të vullnetit politik dhe punës me përkushtim gjatë këtij mandati u bënë realitet një numër i madh premtimesh, si në investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve”, - deklaroi Basha.
Për ministrin, pikërisht këto arritje e bëjnë vendin tonë një shtet me zë të besueshëm për ndërkombëtarët, përpos faktit se nga prilli i këtij viti, Shqipëria do të jetë vend anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.