E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmir Mediu ka ndërtuar spital privat brenda Spitalit Ushtarak duke qenë ministër i Mbrojtjes

Nga Tema

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka përdorur postin e tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes për të favorizuar biznesmenë afër tij për të ngritur një spital privat në mjediset e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas dokumentacionit të siguruar nga gazeta “TemA”, grupi i biznesmenëve i ka kthyer 5 për qind të aksioneve zotit Mediu në emër të Nick Nazar Mehmetit, një biznesmen me origjinë nga pjesa shqiptare e Maqedonisë, miku më i afërt i zotit Mediu, sponsor i tij financiar, lidhjet e të cilit kanë qenë për vite të tëra publike.

Dokumentet e themelimit të këtij spitali janë një histori e dyshimtë biznesi duke spekuluar me emra të mjekëve turq dhe më pas me talljen si spital amerikan.

Sipas dokumenteve që ka siguruar gazeta “TemA”, shoqëria që ka themeluar spitalin quhet UNIVERSAL-ALB dhe përbëhet nga dy kompani turke dhe një aksioner shqiptar nga Berati, i ditëlindjes 1978. Kapitali fillestar i kësaj kompanie ka qenë 4 milionë e 900 mijë lekë, ndërsa në Shqipëri u paraqit si investim miliona dollarësh.

Njëra kompani turke merret me biznese të ndryshme, por jo në mjekësi, tjetra ka si objekt të biznesit dhe pajisjet mjekësore, por asnjëra nuk përfaqëson ndonjë spital turk, siç u paraqit në fillim.

(FAKSIMILE 1)

Objekti i punës i kësaj shoqërie duket qartë se s’ka të bëjë shumë me biznesin e mjekësisë.

Kjo shoqëri u vendos fillimisht brenda ambienteve të Spitalit Ushtarak duke shkatërruar për një kohë të gjatë punën normale të repartit të traumatologjisë dhe duke ngjallur protesta te mjekët. Por, pak nga pak, mjekët filluan të kërcënohen duke u thënë se pas spitalit turk gjenden njerëz të fuqishëm të qeverisë. Flitej për një zv/ministre dhe, sa herë që dikush kërkonte më shumë shpjegime, lihej të kuptohej për kryeministrin. Por, në të vërtetë, njeriu që qëndronte pas gjithë operacionit ishte Fatmir Mediu. Ai u lidhi atyre kontratën për qira me një çmim qesharak brenda mjediseve të spitalit për gati 1 mijë euro në muaj.

(FAKSIMILE 2)

Ndërkohë është shumë qesharak dhe çmimi i qirasë që ata kanë paguar, duke qëndruar brenda një godine shtetërore që ishte spital dhe që kishte nevojë vetë për ambientet që ka zaptuar Fatmir Mediu me miqtë e tij.

Pika 8 e kontratës tregon se shuma që ata paguanin ishte 110 000 lekë.

(FAKSIMILE 3)

Por, njeriu që qëndronte pas gjithë kësaj historie, nuk po dilte duarbosh nga kjo histori. Në momentin që këtij spitali iu dha për ndërtim trualli brenda Qendrës Spitalore të Spitalit Ushtarak në Laprakë, ata detyrohen të bëjnë dhe nderin e parë.

Në adresë të një qytetari amerikan me origjinë nga pjesa shqiptare e Maqedonisë, Nazar Mehmeti, me emrin amerikan Nick, shkojnë dhjetë aksione të kësaj shoqërie që përbëjnë 5 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Për gjithkënd që njeh Fatmir Mediun, e di mirë se Nick Mehmeti është vëllai i tij real në Teksas, sponsori i tij dhjetëvjeçar, i cili ka disa klube striptizmi në Teksas. Kalimi i 5 për qind të aksioneve te Nazar Mehmeti është bërë në konfidencë të plotë noteriale. Notere e aktit është motra e Fatmir Mediut, Adriana Mehdihoxha. (Ky është mbiemri real i Mediut) dhe transferimi është bërë në kohën që spitali u zgjerua.

(FAKSIMILE 4)

Faksimile 4 tregon se kalimi 5 për qind i aksioneve i është bërë Nick, Nazar Mehmetit, me notere motrën e Fatmir Mediut, në mes të muajit mars 2007, pra, sapo spitali ka filluar punën. Është interesant fakti se, pas kësaj, Mediu është angazhuar konkretisht në lobimin për këtë spital në nxjerrjen e licencave, por dhe në donacione të qeverisë shqiptare për të.

Shtypi shqiptar i asaj kohe ka cituar raste të tilla. Nëse gërmon në internet, mund të gjesh për shembull shkrime të tilla si ky i mëposhtmi.

Realizohet transplanti i parë i veshkës në Shqipëri

18.11.2007, 15:05

Burimi: Balkanweb

Mezan Selimaj, 22- vjeçari nga Vlora, ka hyrë tashmë në historinë e shëndetësisë shqiptare si pacienti i parë, i cili iu nënshtrua transplantit të veshkës në spitalet tona.

Sëmundja që ai ka trashëguar nga i ati nuk do të mund të shkaktojë më fatkeqësi në familjen e tij. Falë mrekullisë së bisturisë së 20 specialistëve të fushës së nefrologjisë dhe transplantit të veshkave, ai do të mund të jetojë deri në fund ditët që i ka falur Zoti. Mezan Selimaj, 22- vjeçari nga Vlora, ka hyrë tashmë në historinë e shëndetësisë shqiptare si pacienti i parë, i cili iu nënshtrua transplantit të veshkës në spitalet tona. Ndërhyrja kirurgjikale është realizuar në spitalin turk, “Balkan Alliance Medical Center” dhe pjesë e stafit që ka kryer transplantimin kanë qenë emra të njohur të kirurgjisë turke, amerikane, vjeneze dhe shqiptare. Ky ekip kirurgësh ka realizuar transplantin edhe te një 19-vjeçar tjetër nga Kavaja, ndërhyrje këto që janë mbështetur financiarisht nga BAMC, qeveria shqiptare, si dhe Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë.

Pra, shihet qartë se lobimi i Fatmir Mediut është i plotë dhe i gjithanshëm, jo vetëm që biznesi të fitojë autoritet, por të ndihmohet dhe të kooperojë dhe me qeverinë shqiptare.

Kështu, nën këtë lobim të fortë qeveritar, duke vënë në vështirësi serioze dhe mjekët shqiptarë që punonin aty, i ashtuquajturi Spitali Turk u bë më i preferuar për qeverinë se Spitali Ushtarak, që u la në mëshirë të Zotit.

Ironia e fatit ishte 15 marsi i vitit 2008, kur media ka rënë nën kurthin e lotimit qeveritar dhe ka paraqitur si heroizëm faktin që spitali, pas të cilit qëndron Fatmir Mediu, ka dhënë ndihmë mjekësore për të vrarët po prej Fatmir Mediut në Gërdec.

Dhe pas gjithë kësaj historie, kur Mediu largohet nga ministër i Mbrojtjes, natyrisht që aksionet e njerëzve të tij u ndjenë të pasigurta. Në media u tha se spitali iu shit një fondi investimesh amerikan. Nuk dimë sa e sigurt është kjo, por, sipas dokumenteve që ne kemi, spitalin e ka blerë një kompani e regjistruar në Holandë me emrin “Balkan Alliance Healthcare NV”. Media citonte se spitalin e ka blerë një kompani me qendër në Nju-Jork, por në QKR figuron kompania holandeze.

(FAKSIMILE 5)

Faksimile 5 tregon aksionet e shitura nga njeriu i Fatmir Mediut pranë kësaj kompanie.

Siç shihet, shitja është bërë në maj të vitit 2008, kur Fatmir Mediu nuk ishte më ministër i Mbrojtjes dhe kur njeriu i tij nuk ndjehej më i sigurt se si do të shkonte biznesi. Falë lobimit të Mediut, ky spital privat sot ka zaptuar mjediset e qendrës spitalore ushtarake në Laprakë, duke thyer shpesh shumë ligje dhe rregulla të shtetit shqiptar. Por, askush nuk ka guxuar të ngrejë zërin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›